Shtyrja e demarkacionit nuk e vonon liberalizimin

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, mbetet optimist se tërheqja e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nga Kuvendi dhe shtyrja e ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje nuk do të ketë ndikim negativ në procesin e liberalizimit të vizave.

Ai ka thënë për “Zërin” se kjo varet tërësisht nga institucionet e Bashkimit Evropian, por, sipas tij, BE-ja duhet ta kuptojë situatën në Kosovë.

“Varet në masë të madhe se si BE-ja e vlerëson situatën. Tani jemi në momente të reflektimit dhe nuk duhet të spekulojmë se si do të rrjedhin gjërat, por unë shpresoj që të mos kemi shtyrje e bllokada, sepse do të ishin të panevojshme dhe nuk do të ishin në dobi të askujt. Besoj se institucionet e BE-së duhet të kenë një qasje të mirëkuptimit dhe të përshtatjes me situatën aktuale dhe në këtë drejtim të mos kenë vetëm qasjen e presionit, sepse nëse kësaj situate i duhet diçka, ajo është ulja e tensionit”, ka deklaruar Çollaku.

Sipas Çollakut, qytetarët e Kosovës nuk meritojnë dënim nëpërmjet liberalizimit, shkaku i shtyrjes së ratifikimit të Demarkacionit.

Moskoordinimi i partnerëve të koalicionit është arsyeja kryesore e tërheqjes së Demarkacionit nga votimi në Kuvend. Qeveritarët zotohen se Marrëveshja me Malin e Zi do të procedohet sa më shpejt në Kuvend, ndërsa opozita kërkon që kjo çështje të konsiderohet “e vdekur”.

Partnerët e mëdhenj të koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk janë koordinuar me partnerin tjetër, Listën Serbe, për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, prandaj serbët nuk kanë marrë pjesë në seancën kur është dashur të ratifikohet kjo Marrëveshje. Por, tani përfaqësuesit e Qeverisë thonë se në periudhën deri në riprocedimin e Demarkacionit në Kuvend do të zhvillojnë konsultime me subjektet politike dhe me deputetët për ta sqaruar këtë çështje.

Opozita kërkon nga Qeveria që të mos e riprocedojë më këtë Marrëveshje pas tërheqjes nga Kuvendi, më 1 shtator. Opozitarët thonë se nëse pushteti këmbëngul në ratifikimin e Marrëveshjes së 25 gushtit 2015, situata do të tensionohet.

Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë se Demarkacioni do të procedohet tutje përsëri në Kuvend pa vonesë, por me krijimin e rrethanave optimale dhe të përshtatshme për këtë çështje.

“Kjo do të ndodhë pa prolongime të pajustifikueshme, për shumë arsye tashmë të njohura e një nga më të rëndësishmet është shënjimi i vijës kufitare ndërmjet shtetit tonë dhe Malit të Zi, me çka kështu vazhdojmë procesin e shtetndërtimit edhe në këtë formë, duke mos përjashtuar edhe normalizimin e raporteve me fqinjët, si dhe shfrytëzimin e mundësisë së mirë për heqjen vizave për qytetarët tanë”, ka deklaruar Abdullahu.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu