Mirë është që katër partitë nënshkruese të marrëveshje së Përzhinës u morën vesh për datën e zgjedhjeve, sepse çdo shtyrje e tyre do të ndikonte negativisht në gjendjen politike në vend, e cila veçmë është e rrënuar, theksojnë partitë e tjera politike. Një pjesë e tyre edhe pse e përshëndetën marrëveshjen e arritur, prapë se prapë konsiderojnë se nuk do të ketë zgjedhje të drejta dhe demokratike, shkruan TV21.
Kryetari i Partisë Liberale Demokratike, Goran Milevski tha se edhe për zgjedhjet e 11 dhjetori pret koalicion të gjerë parazgjedhor.
“Konsiderojmë se shtyrja do ta dëmtonte të gjithë procesin, duke pasur parasysh se mundej situata të zbehet dhe pushteti të fitoj njëfarë përparësie. Për 11 dhjetor, pritjet e PLD-së janë që të bëhet një koalicion i gjerë i cili do t’i kundërvihet regjimit aktual, gjegjësisht, të gjithë ata që mendojnë se nuk mundet të qeverisen qytetarët përmes korrupsionit, krimit, me shantazhe dhe kërcënime, duhet t’i bashkëngjiten koalicionit të këtillë”, tha Milevski.
Nënkryetari i partisë UNITETI, Zulfi Adili thotë se partia e tyre është e përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Ata konsiderojnë se qytetarët janë të pakënaqur dhe se pikërisht këta janë faktori i cili do të vendos për fundin e krizës.
Sipas Lëvizjes Besa, më 11 dhjetor nuk do të ketë zgjedhje të drejta, demokratike dhe ndërkombëtarisht të pranueshme, sepse partitë në pushtet në çdo mënyrë do të mundohen të manipulojnë me vullnetin e qytetarëve. Por, prapëseprapë nga “Besa”, e përshëndetën marrëveshjen e arritur.
Liljana Popovska nga Përtëritja Demokratike e Maqedonisë, tha se nuk pret që zgjedhjet të jenë demokratike dhe shtoi se ka kushte minimale për mbajtjen e tyre.
“Pres që zgjedhjet të mbahen në atmosferë të mirë. Ndërgjegjja e qytetarëve, si dhe shumë nëpunësve civil të cilët do të duhet zyrtarisht t’i zbatojnë dhe t’i ndjekin zgjedhjet është në nivel më të lartë, ndërsa kjo gjithashtu do të ndihmojë. Ndërsa edhe përfaqësuesit ndërkombëtar janë të informuar mirë për keqpërdorimet e mundshme”, theksoi Popovska.
Edhe pse pjesa më e madhe e partive që nuk kishin hisen e tyre në Marrëveshjen e Përzhinës thonë se nuk do të ketë zgjedhje të drejta dhe demokratike, megjithatë theksojnë se janë të gatshëm të dalin në zgjedhje.