Sa deputetë fitohen me votat e zgjedhjeve lokale 2017

Në njëfarë mënyre zgjedhjet e sivjetme lokale ishin zhvillim i mëtejshëm i rrëfimit politik të filluar me zgjedhjet parlamentare 2016. Nga këndvështrimi i votave të fituara fillimisht del se kjo ishte periudhë e stabilizimit të trupit votues të SDSM, BDI dhe Lëvizjes Besa, ngritje e fuqishme e Aleancës, rrënie drastike e VMRO-së dhe shfarosje thuajse totale e PDSH-së.

Normalisht një pasqyrë më e mirë e rezultatit të zgjedhjeve fitohet nëse votat e grumbulluara nga secila parti përkthehen në mandate deputetësh. Gjegjësisht shtrohet pyetja se si do të dukej parlamenti sikur këto zgjedhje të kishin qenë zgjedhje parlamentare.

Për të krijuar një pasqyrë të tillë kam marrë për bazë votat e fituara për këshillat e komunave, sepse këto pasqyrojnë më mirë vullnetin politik të votuesve dhe forcën reale të partive politike. Votat e fituara nga secila parti i kam ndarë në gjashtë njësitë zgjedhore ashtu siç qenë në zgjedhjet e fundit dhe siç janë të ndara aktualisht me ligj. Pastaj kam përdorur metodën e D’Hondtit për t’i përkthyer këto vota në mandate deputetësh.

Simulimin e këtillë e kam përsëritur dy herë. Së pari simulimi është bërë me votat e secilës parti veçmas, ashtu siç kanë dalë në zgjedhje. Më pas simulimin e kam përsëritur duke marrë parasysh potencialet koalicionuese. Pikë së pari këtu bëhet fjalë për koalicionin e sapoformuar Aleanca me Besë. Së dyti, kam bashkuar në koalicione votat e partive turke me partnerët e tyre të zakonshëm: DNET me SDSM, TDP me VMRO, sepse këto parti përherë garojnë bashkë në zgjedhje parlamentare dhe dalin të vetme në ato lokale.

Rezultatet e këtyre simulimeve gjenden më poshtë. Ata janë dhënë në total dhe për secilën zonë zgjedhore veçmas.

Mandatet e partive.

Tabela, besoj, flet për vete. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare 2016 ajo reflekton më së miri debaklin e VMRO-së. Me përjashtim të zonës 6, SDSM gjithkund ka përmbysur ose ka thelluar rezultatin, por siç do të shohim pa meritë të saj. Ajo madje ka dalur para VMRO-së edhe në bastionin e saj më të sigurtë, njësinë zgjedhore 3. Në total VMRO humb 10 deputetë, ndërsa SDSM fiton 5 tjerë.

Tek shqiptarët ruhet situatë e njëjtë në zonën 1, ndërsa në zonën 2 risi është deputeti që fiton Aleanca. Në zonën 5 BDI rritet për një deputet falë mobilizimit në Kërçovë. Për të njëjtin shkak ajo fiton një deputet të ri në zonën 6, ku përndryshe vërehet rritje e ndjeshme e Aleancës dhe rrënie e mëtejshme e PDSH, përderisa Besa qëndron stabile me tre deputetët e fituar.

Mandatet e koalicioneve – Aleanca me Besë. Siç thashë më lartë, në këtë simulim të dytë janë bashkuar votat e Aleancës dhe Besës në një koalicion të vetëm. Paralelisht kam bashkuar në koalicione edhe partitë turke: DNET me SDSM dhe TDP me VMRO, edhepse tani ata kanë garuar të vetme, siç bëjnë përherë në zgjedhje lokale.

Ky simulim ilustron më së miri efektin e sinergjisë politike që japin koalicionet. Duket qartë se bashkimi i Aleancës dhe Besës menjëherë ju jep atyre dy deputetë shtesë. Për më tepër numri total i deputetëve shqiptarë menjëherë kërcen nga 24 në 26, sepse dy deputetët shtesë fitohen në kurriz të SDSM-së.

Ndryshimi i parë vjen në zonën 1, ku votat e djegura të Aleancës menjëherë shndërrohen në mandat deputeti kur ju shtohen votave të Besës. Fenomeni i njëjtë përsëritet në njësinë 5, ku votat e djegura të Besës mjaftojnë për të siguruar një mandat tjetër në koalicion me Aleancën.

Në përgjithësi simulimi jep pasqyrë reale të tablosë së re politike të dalur nga zgjedhjet lokale. Ashtu si në zgjedhjet parlamentare vazhdon të vlejë fakti se Aleanca dhe Besa bashkërisht kanë më tepër vota se BDI dhe se mjafton një dalje e tyre e përbashkët në zgjedhje për t’a mposhtur atë. Në bllokun maqedonas shihet se nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë ngritje të SDSM, sa bëhet fjalë për rrënie të VMRO, kryesisht nga fakti se një pjesë bukur e madhe e votuesve të saj nuk kanë dalur fare në zgjedhje. Poashtu është e qartë se PDSH ka rrënë pa kthim dhe se në të ardhmen do t’a ketë vështirë të sigurojë edhe një mandat të vetëm.

Kurdo që të mbahen zgjedhjet parlamentare shumëçka në politikë padyshim do të jetë ndryshe. Por sikur të ishin mbajtur sot, kjo do të ishte pasqyra reale e forcave politike në parlament.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu