“Mirëmbrëma yje” është programi më i ri i Arbana Osmanit. Ndryshe nga emisionet e saj të mëparshme televizive, “Mirëmbrëma yje” mund të ndiqet vetëm nëpërmjet platformës “Youtube”.
Dy puntatat e para të publikuara janë pritur mjaft mirë nga publiku, të paktën bazuar në numrat e shikimeve që këto video kanë grumbulluar — rreth 2.5 milionë shikime në total.
Mirëpo në rrjet kanë nisur kritikat ndaj Arbanës dhe programit të saj të ri, pas një artikulli të publikuar nga ‘Prapaskena’, të cilët pretendojnë se në fakt shikimet e Arbanës nuk janë të vërteta, por janë rritur nga platforma që ofrojnë shikime ‘fake’ nga shtete të ndryshme, si India, Irani, etj.
“A do ndërhyjë Krimi Ekonomik?“- thuhet në artikull, ndërsa më tej vazhdon:
“Të dhëna zyrtare të siguruara nga Prapaskena tregojnë blerjen e qindra mijëra klikime nga India dhe vende të tjera nga moderatorja e njohur Arbana Osmani.
Në harkun kohor të 20 orëve, emisioni i Arbana Osmanit në Youtube ‘Mirëmbrëma Yje’ ka marrë mbi 800 mijë shikime, duke tejkaluar jo vetëm emisionet më të ndjekura në Shqipëri, por edhe këngët e publikuara nga këngëtarët më të famshëm shqiptarë dhe të huaj.
‘Sekreti’ i këtij suksesi janë klikimet e blera në Indi dhe vende të tjera, ku emisionin befas e shikonin 200 mijë njerëz më shumë në fraksion sekondi.
Kjo është edhe arsyeja se pse zonja Osmani dhe Eduart Grishaj kanë shtyrë monetizimin e videos në Youtube pasi së pari do të dilnin në pah klikimet e blera dhe së dyti, klikimet e blera nga India nuk sjellin të ardhura. Nga të dhënat rezulton se nga 840 mijë klikime, Osmani dhe Grishaj kanë blerë rreth 800 mijë klikime”.
Sa i përket akuzave të forta në rrjet, ende nuk ka patur një reagim nga Arbana Osmani.