A do të dalë edhe shteti i tretë shqiptar në Maqedoni?

Nga: Spartak Ngjela

Deri tani, në historinë e kohës sonë, janë në funksion të plotë juridik dhe brenda të Drejtës Ndërkombëtare, dy shtete shqiptarë – Shqipëria dhe Kosova. Por, kështu si po ecin ngjarjet, si në një shtet të pavarur duhet të dalin edhe një milionë shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

A do të dalë edhe shteti i tretë shqiptar në Ballkanin Perëndimor me të një milionë shqiptarët etnikë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut?

Që nga Rilindja Kombëtare te Pavarësia e Shqipërisë, nga Pavarësia e Shqipërisë e deri te Pavarësia e Kosovës, shqiptarët kanë pritur që Rilindja Kombëtare e tyre të bëhej realitet gjithëshqiptar.

Dhe kjo tani po vjen. Në Ballkanin Perëndimor sot janë dy shtete shqiptarë me 5 milionë shqiptarë. Por, ashtu siç e theksuam, po pritet edhe shteti i tretë me një milion shqiptarë, në Maqedoninë e Veriut.

Është logjika e kohës kjo, që po thotë: edhe ai do të vijë.

Edhe Rusia, por edhe Serbia kanë pas pasur dehje patologjike të krerëve të tyre, sepse edhe Stalinit, por edhe Josif Broz Titos, njërit më përpara dhe tjetrit më pas, deliri qe i pushtoi, që të dy i kishte sëmurur mendërisht sa atyre u dukej sikur po drejtonin botën.

Por, edhe pse as njëri dhe asa tjetri nga liderët e mësipërm nuk pati mundësi ta kuptonte sëmundjen e vet mendore, sepse të dy vdiqën si “mbretër të botes”, pasardhësit e tyre, Putin dhe Vuçiç, po e vuajnë edhe më keq, sepse, këta janë vërtitur e po vërtiten në jerm, pa e ditur se çfarë t’i kërkojnë historisë.

I.
Te gjithe tiranët e shekullit te XX-të, marrëzine e tyre në mbajtjen e pushtetit personal e kane përdorur bashkë me një propagandë të gënjershtërt, dhe gjithmonë në funksion të së ardhmes.

Njeriun gjithmonë e ka shqetesuar mendimi i së ardhmes, duke pyetur: “si do të vijë ajo për mua?” – pyetje kjo që ai e ka kaluar me një shqetësim të vazhdueshëm. Dhe, pikërisht në këtë segment mendor, sidomos tek i varferi dhe njeriu i rëndomtë, vjen dhe zë vend gënjeshtra propagandistike e tiranit që iu drejtohet shtetasve të vet, duke u folur për “të ardhmen e ndritur që po i pret”.

Dhe këtu fillon ulërima e të gënjyerve, histeria e pritjes së të ardhmes së ndritur që “atyre po u vjen”: por ketu vjen dhe ndërtohet edhe terrori tiranik kundër intelektualve, kundër njeriut të ditur që nuk e pranon dot këtë gjendje të gënjeshtërt shoqërore. Këto kanë qenë tiranitë e majta në Evropën e pas-Luftës se Dytë Botërore.

II.
Ne çastet historike kur komunistët drejtonin propagandën per “te ardhemen e ndritur”, në Shqipëri, të dehurit e gënjyer këndonin gjithë hakmarrje dhe shpresë për të ardhem e tyre të ndritur: “në pallatet madheshtore dridhet korbi gjakatar”, dhe fituan; por shume shpejt humbën gjiththçka, madje edhe nderin, dhe lirinë e tyre, në një tirani tmerri.

Por, bashkë ama, këta u takuan varrezave të Shqipërisë, tok me “korbin gjakatar”, që ata e kishin vrarë duke kënduar.
Dhe kjo gënjeshtër e krijuar prej tyre dhe e ngritur në sistem me një propagandë shurdhuese bashkë me emrin e tyre, zuri vend jo vetëm në Rusinë dhe Serbinë komuniste, por edhe në Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Dhe sot…
Serbia është në krizë se po e fundos Kosova.
Rusia është në krizë, sepse ka në veprim disekulibrin mendor të Vladimir Putinit.
Kurse…
Shqipëria është në pritje të shpërbërjes se Rusisë dhe krizës tërësore të Serbisë, e cila nuk mund të rezistojë dot ekonomikisht pa Kosovën.

III.
Shqipëria e ka në favor këtë kohë, pikërisht për këtë gjendje që po kalon Rusia dhe Serbia.
Nuk mund të mendohet që këta dy raste, Serbia dhe Rusia, të mos janë të lidhur me njëri-tjetrin. Është ndër to e njëjta psikologji për këtë kohe: demokracia dhe liria e shoqërive evropiane dhe ajo amerikane nuk i pranon sepse, që të dy këta, janë shtete agresivë.

IV.
Gjithçka që po mdodh në Ballkanin Perëndimor është në favor të çështjes shqiptare, sepse kryesore për të është kriza e Serbisë që ka ardhur si pasojë e humbjes së Kosovës.

Prandaj duhet theksuar se…
Kriza aktuale e Serbisë është dhe vjen nga forcimi i shqiptarizmit në Gadishullin Ilirik. Kjo është e vërteta. Prandaj gjithçka është në favor të Kosovës dhe Shqipërisë.
Veriu i Kosovës është interes i madh historik për të dy shtetet shqiptare. Dhe ai do të shkojë deri në fund në favor të shqiptarëve: duan apo nuk duan Rama dhe Vuçiç.
Me këtë rast na duhet të theksojmë:

1. Duhet ta dijë mirë edhe Greqia, edhe Serbia, por edhe Mali i Zi dhe, edhe Maqedonia e Veriut se çështja shqiptare nuk ka përfunduar. Shqiptarët, të goditur me dhunë nëpër këta katër shtete kufitarë te tyre, do të bashkohen me territoret e etnisë shqiptare në një shtet të vetëm: kjo do të jetë beteja e fundit në historinë e dhimbshme të Shqipërisë.
Dhe procesi ka filluar, sepse sot në Ballkanin Perëndimor janë dy shtete shqiptarë; Kosova dhe Shqipëria. Por, ashtu siç e theksuam, po pritet të formohet edhe një shtet i tretë me një milion shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

2. Por, në këtë procrs gjithëshqiptar, nuk do mbesë mbrapa as Çamëria. Prandaj…
Edhe Beogradi, edhe Moska, por edhe Athina duhet ta dinë mirë, se ata nuk e ndalojnë dot më këtë proces panshqiptar që ka filluar me pavarësinë e Kosovës.

Shqipëria e bashkuar sot është interes i lartë i Aleancës Atlantike, duan apo nuk duan dy apo tre shtete të kësaj aleance.
Pa botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, Amerika nuk e çrrënjos dot Vladimir Putinin e Rusisë. Dhe procesi për çrrënjosjen e tij ka filluar, duke marrë shkas nga konflikti Rusi-Ukrainë.
Unë me analizën time e kam shprehur qartë këtë.

Por, kjo është arsyeja themelore e Bashkimit Kombëtar të shqiptarëve në këtë periudhë historike. Kurse, në një prizëm historik të së ardhmes së afërt, ne do shohim që lufta në Ukrainë dhe fitorja e kësaj lufte nga Ukraina do të sjellë ndryshim të madh në frymën demokratike të kësaj kohe.
Amerika po e konsideron si të tillë këtë luftë në Ukrainë, dhe, ndihma e saj, po kuptohet që është faktori kryesor i degradimit të Rusisë agresive.

3. Koha po punon për shqiptarët. Mbaheni mend këtë.
Shqipëria, ashtu sikurse e shpjeguam më lart, është në pritje të shpërbërjes së Rusisë dhe të Serbisë.
Koha e tregoi atë që kishin arsyetuar ekspertët e mëdhenj, që Serbia nuk mund të rezistojë dot ekonomikisht pa Kosovën.
Por…
Duhet të theksuar në këtë rast se, pikërisht ky fakt historik, e ka mbajtur historinë 120 vjeçare të shqiptarëve me bllokimin e Frymës Kombëtare Shqiptare në Ballkanin Perëndimor; bllokim ky i ushtruar me forcë nga fuqitë e mëdha evropiane .

4. Ishte e pritur që, liria e shqiptarëve me marrjen në pavarësi të territoreve të tyre etnikë, do ta goditte rëndë Serbinë, dhe kështu po ndodh.
Kurse, përplasja sociale e sotme në Rusi, është kërkesë për një rrugëdalje të re, sipas pyetjes: me Putinin apo pa të?
Në të vërtetë në këtë luftë kundër Putinit spikat konflikti i vjetër në brendësi të Rusisë: Lufta midis frymës perëndimore me frymën aziatike. Putini po duket të jetë udhëheqësi i fundit autokrat i frymës aziatike në Rusi.

Kjo është në thelb arsyeja kryesore e krizës në Rusi, por të gjitha lëvizjet e brendshme aty, deri tani, nuk japin një shpresë për dalja nga kjo gjendje. Kurse enigmatike mbeti lëvizja për një grusht shteti në Rusi, që ndodhi të shtunën, në datën 24 qershor të këtij viti.

Kuptohet se gjithçka po shtyhet në një luftë të hapur anti – Putin.
Dhe nuk duhet harruar ndërkaq se Rusia është një shtet nën embargo amerikane.
A do të dalë dot Rusia nga goditja e rëndë që po i vjen prej saj?
Jo, nuk del dot. Eshtë e pamundur të dalë. Kjo embargo mendohet se do ta fundosë Rusinë putiniane.

5. Kurse tani…
E gjithë bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor, pikërisht në këtë kohë, po pret republikën e re shqiptare në Maqedoni. Se kjo do të jetë fitorja e fundit e madhe e shqiptarëve kundër pushtimit të gjatë sllav.
Sot në Maqedoni jetojnë 1.000.000 shqiptarë autoktonë, dhe kjo kohë që po vjen, të një milionë shqiptarët në Maqedoni, do të bashkohen pa asnjë mëdyshje në krijimin e Shqipërisë së Bashkuar

6. Nuk eshte e rastesishme qe Rusia dhe Serbia janë në krizë në të njëjtën kohë. Lidhja historike e tyre me abuzime dhe luftra agresive, tani, të dy këta shtete i ka sjellë në një moment historik që nuk iu lë më hapësirë per të ardhmen. Sepse të dy shtetet janë futur në Krizën e sistemit.
Edhe Vladimir Putin edhe Aleksandër Vuçiç, njëri në Rusi e tjetri në Serbi, janë mbeturina te sistemit të vjetër komunist edhe në Rusi, edhe në Serbi.

Ky është në të vërtet shkaku kryesor i kësaj gjendjeje brenda pyetjes: a do të fitojë liria dhe fryma demokratike në këta dy vende?

Analistët e mëdhenj janë të ndarë, por, për ne, shenjat janë se kjo kohe demokratike e lirisë në Perëndim ka penetruar edhe në Rusi, edhe në Serbi. Megjithatë duhet pritur për ta dalluar më qartë të ardhmen demokratike të të dy vendeve në krizë, sepse ende nuk kanë dalë në skenë liderët e vërtetë të tyre.

Gjithsesi, ashtu sikurse e theksuam në këtë shkrim, kuptohet që kjo kohë është në favor të shqiptarizmit. Dhe brenda saj, sikurse e theksusm disa herë, tani po pritet të dalë edhe shteti i tretë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Të shohim, a do të jenë në gjendje shqiptarët drejtues në Shkup dhe në Tetovë ta sjellin në skenën e kohës këtë shtet të ri shqiptar në Ballkanin Perëndimor?


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu