Kryeministri dhe presidenti i shtetit vazhdojnë të arsyetojnë ndryshimet për Kodin Penal. Në këto ndryshime nuk ka të bëjë fare amnisti i ish funksionarëve, pohon kryeministri Dimitar Kovaçevski. Sipas tij qëllimi është që të ketë dënime më të shpejta dhe të konfiskohen pasuritë e fituara në mënyrë ilegale.
“Ju e dini se organizatat joqeveritare, faktori ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut, kishin vërejtje pse tek ne paraburgimet zgjatin disa vite. Përshkak se procedurat zgjatin disa vite. Në fund qytetarët gjithmonë pyesin, mirë ku është konfiskimi? Këto ndryshime janë pikërisht për këtë. Dënim më i shpejtë, identifikim i veprave konkrete dhe konfiskim i pasurisë së fituar në mënyrë joligjore. Askund në ligj nuk ka amnesti për askënd. Po të kishte amnesti, sot me siguri dikush do të amnestoheshte sepse ligji tanimë është nënshkruar nga presidenti i shtetit”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
I të njejtit mendim është edhe presidenti Stevo Pendarovski. Siç thotë, ai këtë e bëri me arsyetimin se në këto ndryshime të ligjit nuk parashihet askund amnestim i funksionarëve por përkundrazi, do të lehtësohet procedura e konfiskimit të pasurisë.
“Së pari, u krijua një huti në opinion se bëhet fjalë për amnesti, madje dëgjova disa shprehje që asnjëherë nuk i kam dëgjuar, ndonjë amnesti të fshehur. Një gjë të tillë nuk ekziston. Amnesti është kur unë ty tërësisht do të liroj nga dënimi me burg, nuk do të futesh fare, nëse je në burg do të dalësh. Nuk ka asnjë pjesë në këtë ligj që e bën këtë”, pohoi Stevo Pendarovski – President i RMV-së.
Vendimi i presidentit Pendarovski që të nënshkruajë dekretin e ligjit të kodit penal nuk u mirëprit nga opozita. Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, thotë se me këto ndryshime, më rëndë kalon një vjedhës i drunjëve se sa një politikan që bën shkelje pa masë.
“Sa i përket ligjit që në historinë e Maqedonisë është sjellur me procedurë rekorde, të shpejtë e të fshehur që menjëherë e nënshkroi edhe presidenti, është një shkelje e rëndë e shtetit ligjor. E then kufirin mes pushtetit politik dhe pushtetit gjyqësor dhe thjeshtë është një porosi e keqe për drejtësi në Maqedoni sepse më keq kalon një qytetar që zihet duke prerë drunjë dhe flenë në burg tre vite se sa një politikan apo zyrtar që ka bërë shkelje pa masë…”, tha Izet Mexhiti – Kryetar i LD.
Përndryshe ky ligj në Kuvend në seancë plenare për votim doli pas vetëm dy ditëve jo të plota. Në Kuvend u votua me 48 vota pro, 36 kundër dhe një i abstenuar nga 104 deputetë gjithsej të pranishëm.