A ka ardhur koha që Biden të tregoje forcën e SHBA-së përballë Iranit?

Në fillim të muajit korrik, presidenti Joe Biden e informoi popullin amerikan mbi tërheqjen e afërt të forcave të mbetura amerikane nga Afganistani, pas një fushate ushtarake 20-vjeçare, duke sinjalizuar kësisoj nisjen e zbatimit të planit të tij për të reduktuar praninë e Amerikës në Lindjen e Mesme të Madhe.

Tërheqja që pasoi ishte në fakt një disfatë e rëndë ushtarake dhe politike. Po në korrik, presidenti Biden finalizoi një marrëveshje për t’i dhënë fund misionit ushtarak të SHBA-së në Irak deri në fund të këtij viti, teksa trupat e mbetura atje do të kufizojnë veprimtarinë e tyre në trajnimin dhe këshillimin e ushtrisë irakiane.

Ndërkohë edhe në lidhje me problemin e programit bërthamor të Iranit, administrata Biden duket e etur për ta hequr këtë çështje nga axhenda e politikës së saj të jashtme, madje edhe me koston e bërjes së lëshimeve, që do ta mbajnë Iranin pranë aftësisë për të prodhuar vetë armët e para bërthamore.

Këto vendime në politikën e jashtme, duket se përbëjnë një prirje afatgjatë për të reduktuar angazhimin e SHBA-së në rajonin e Lindjes së Mesme. Kjo lëvizje filloi qëgjatë mandatit të presidentit Obama, dhe pasqyronte lodhjen e amerikanëve me fushata ushtarake në vendet e huaja, pas dy luftërave të pasuksesshme (Irak dhe Afganistan).

Impulset izolacioniste që janë aktualisht të pranishme tek pjesa më e madhe e publikut amerikan, mbështesin gjithashtu edhe uljen e profilit ushtarak të Amerikës jashtë vendit. Ajo që e përforcon këtë qasje është rëndësia në rënie e Lindjes së Mesme të pasur me naftë për SHBA-në, teksa ky vend është bërë më pak i varur nga energjia e huaj.

Së fundmi, zhvendosja e fokusit amerikan tek sfidat e paraqitura nga Kina, kërkon një ndryshim drastik të prioriteteve dhe të dislokimeve ushtarake në mbarë globin. Tërheqja e forcave amerikane nga Lindja e Mesme, mund të ketë arsye qartazi strategjike.

Arsyeja për një ushtri globale të tkurrur, duket se përputhet me atë që strategët amerikanë e kanë quajtur “balancim off shore”. Kjo do të thotë se SHBA duhet të ketë më pak baza jashtë shtetit, por nga ana tjetër të ruajë aftësinë e saj ushtarake për të ndërhyrë në rajone të largëta kur kjo gjë është e nevojshme.

Në këtë mënyrë, forcat amerikane do të jenë më pak të prekshme nga tekat dhe provokimet e aktorëve rajonalë, dhe do të përdoren vetëm nëse janë në rrezik interesat jetike të SHBA-së.

Mjerisht, lëvizjet e SHBA-së në Lindjen e Mesme nuk shihen nga të gjithë si një ndryshim strategjie, në përpjekjen për të ruajtur statusin e saj si një superfuqi globale.

Perceptimi i shumë-përhapur kohët e fundit është se SHBA është e dobësuar, se është shumë e zënë me problemet e saj të brendshme, dhe se është e papërgatitur që ta udhëheqë botën e lirë. Madje edhe disa nga aleatët e Amerikës po e vënë në dyshim besueshmërinë e saj.

Shumë udhëheqës mendojnë se Amerika po tërhiqet nga roli i saj i “policit global”.Vlerësime të tilla janë bërë edhe në të kaluarën, por SHBA ia doli që të ruante statusin e saj si një superfuqi. Një nga synimet kryesore të Joe Biden, përfshin rivendosjen e lidershipit amerikan jashtë vendit.

Por kjo sfidë duket më e vështirë se kurrë më parë. Pasi ne po shohim një Kinë gjithnjë e më këmbëngulëse, e cila ka zgjeruar kontrollin e saj në Detin e Kinës Jugore, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë në vitin 2016, që i cilësoi shkelje të sovranitetit aktivitetet e Kinës brenda zonës detare të Filipineve.

Për më tepër, Kina e ka përshkallëzuar kohët e fundit retorikën dhe veprimet e saj në lidhje me Tajvanin. Rusia e pushtoi Krimenë 7 vjet më parë, aktualisht ka grumbulluar 175.000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, dhe po zhvillon një luftë me intensitet të ulët në pjesën lindore të vendit fqinj, duke pasur një sjellje shumë agresive.

Përveç kësaj, Rusia dërgoi forcat e saj ajrore për të ndihmuar regjimin e presidentit sirian Bashar Al-Assad, ndërsa mercenarët e saj veprojnë në disa vende të botës ku ka konflikte. Edhe fuqitë më të vogla, aleatë apo armiq të SHBA-së, kanë vepruar duke pyetur pak mbi preferencat e Uashingtonit.

Turqia ndërhyri ushtarakisht në Siri, Irak, Libi dhe Azerbajxhan. Pakistani po flirton me radikalët islamikë në Afganistan. Kuba dhe Venezuela janë bastione aktive të anti-amerikanizmit. Irani ka armatosur milicitë e ndryshme, të cilat synojnë të vendosin nën kontrollin e tyre Lindjen e Mesme, dhe madje po sulmojnë objektivat amerikanë pa u ndëshkuar.

Miratimi i një strategjie “balancuese off shore” në përputhje me statusin e një superfuqie, kërkon një forcë ushtarake të aftë të projektojë fuqinë e vet në nivel global. Për më tepër, ajo kërkon një lidership amerikan me një synim të besueshëm për të përdorur forcën – nëse është e nevojshme – në botën Hobesiane në të cilën jetojmë sot.

Një raport i fundit i Pentagonit e vinte theksin tek modernizimi dhe forcimi mbresëlënës i ushtrisë kineze. SHBA është tejkaluar nga Kina në disa kategori armësh, si raketat balistike të lëshuara nga toka (GLBM) dhe raketat “lundruese” të lëshuara nga toka (GLCM). Kina testoi në gusht një raketë hipersonike me aftësi bërthamore, duke treguar një aftësi që me sa duket kapi në befasi edhe shërbimet sekrete amerikane.

Një dislokim i gjerë ushtarak amerikan për të ruajtur avantazhin në Azi, do të kërkonte kohë dhe më shumë para. Edhe nëse mund të teprohet në disa raste me frikën nga dobësimi i epërsisë ushtarake të SHBA-së, në disa raste vullneti i Amerikës për të vepruar jashtë vendit mbetet në pikëpyetje.

SHBA mund ta rindërtojë statusin e saj si një superfuqi duke treguar vendosmërisë në përdorimin e forcës ushtarake, për të ndjekur interesat e saj kombëtare atëherë kur është e nevojshme. Dhe vendi i duhur për të pasur një qëndrim të fortë, dhe për të ndryshuar përshtypjen e një SHBA-je të dobësuar është Irani.

Obama arriti një marrëveshje me Iranin, e cila e inkurajoi këtë të fundit të vijojë përpjekjet për hegjemoni rajonale si dhe për prodhimin e armëve bërthamore. Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 bleu kohë, me shpresën se Irani nuk do t’i provokonte Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, ish-presidenti Donald Trump e kuptoi se Republika Islamike e Iranit, është një armik i Shteteve të Bashkuara, dhe ajo është e vendosur të pajiset me armë bërthamore. Por metodat e tij për ta detyruar Iranin të ndryshojë politikat e tij – kryesisht presionet diplomatike dhe ekonomike – ishin jo realiste.

Administrata Biden po kërkon kompromis dhe një marrëveshje të re me Teheranin. Por ajo injoron faktin se Irani është i vendosur të ecë përpara me synimet e tij bërthamore, dhe të vazhdojë të anashkalojë sanksionet. Mbijetesa e regjimi atje varet pikërisht nga arritja e këtij qëllimi.

Dhe modeli për Iranin është Koreja e Veriut. Për më tepër, Irani e percepton SHBA-në si një superfuqi të dobësuar, që nuk ka guximin të përdorë forcën edhe nëse kjo është e nevojshme. Prandaj, Teherani e poshtëroi Uashingtonin duke e përjashtuar nga bisedimet në vazhdim mbi programin e tij bërthamor, teksa po përdor taktikat e vonesës për ta zvarritur sa më shumë këtë proces.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka disa raste kur opsioni ushtarak mund të jetë i vetmi i mbetur në dispozicion. Uashingtoni e deklaroi kundërshtimin e tij të fortë ndaj mundësisë që Irani të pajiset me armë bërthamore. Aleatët evropianë e mbështesin në këtë qëndrim. Edhe Rusia edhe Kina nuk kanë ndonjë interes ta shohin Teheranin të bëhet një fuqi bërthamore. Por në rast se dëshiron që të largohet nga Lindja e Mesme me sa më pak dëme që të jetë e mundur për pozitën dhe sigurinë e SHBA-së, Uashingtoni duhet t`i frikësojë sa më shumë që të jetë e mundur armiqtë e tij në rajon.

Ushtria amerikane ka ende mjaftueshëm forcë për të ndëshkuar kundërshtarët rajonalë, dhe për t’i frikësuar ata nëse kjo është e nevojshme. Shumë shpejt mund të vijë një kohë kur administratës Biden do t’i duhet të tregojë hapur gatishmërinë për të përdorur forcën ndaj Iranit, për të dërguar një mesazh të qartë se Amerika është ende serioze në synimin e saj për të mbetur një superfuqi globale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu