A mund ta ndalojmë puçin anti-shqiptar të Open Balkan?!

Nga: Enver Bytyçi

Dje në Parlamentin e Serbisë u zhvillua takimi virtual kushtuar nismës së Vuçiq për Ballkanin e Hapur. Deputetët serbë ndoqën përmes video-mesazhit fjalën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe ky ishte i vetmi që mori duartrokitje deri në ovacione. Asnjëherë nuk kishte marrë kaq mbështetje vetë presidenti serb. Ndërkaq këtë mbështetje e mori unanimisht kryeministri shqiptar!

Duartrokitjet erdhën pasi fjala e zotit Rama ishte në frymën e interesave serbe në Ballkan. Pasi ai mbështeti gati me arrogancë të gjitha nismat serbe për ekspansion në rajon përmes Open Balkan! Kush nga serbët deputetë e jo deputetë nuk do të duartrokiste lejen për të blerë pronat e patundshme të shqiptarëve në Vlorë, Sarandë, Durrës, Tiranë, Shkodër e kudo në Shqipëri, të cilën ua jep marrëveshja për Ballkanin e Hapur?! Çfarë humb Serbia, përveç përfitimeve nga kjo marrëveshje? Asgjë!

Ajo fiton të drejtën e daljes në Adriatik, madje ende pa definuar marrëveshjen me Kosovën! Në vend që kryeministri i Shqipërisë ta kushtëzonte marrëveshjen për Open Balkanin së paku me njohjen e Kosovës, ai bëri të kundërtën: I dha Beogradit mundësinë që të mos e bëjë këtë, madje të shtojë presionin mbi autoritetet e Prishtinës, me qëllim që zgjidhja të shkojë në favor të Beogradit! Në vend që kryeministri i Shqipërisë ta shohë nacionalizmin serb si pengesë të konsolidimit të paqes në rajon, Edi Rama promovoi këtë nacionalizëm si “të moderuar” dhe po ndihmon në operacionin e Serbisë për krijimin e “Botës serbe”! Jo vetëm kaq, por fajësoi nacionalizmin kosovar për refuzimin që I bën Ballkanit të Hapur! Në vend që ta kushtëzonte marrëveshjen midis Serbisë e Kosovës me njohjen e krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë e Bosnjë-Hercegovinë, Edi Rama ia dha lejen Beogradit që ta bëjë këtë pas krijimit të Jugosllavisë së Re! D.m.th atëherë kur kjo ndjesë serbe nuk ka më asnjë vlerë dhe efekt në dobi të shqiptarëve dhe nuk prek asnjë interes të Serbisë!

Open Balkan i Edi Ramës u duartrokit në parlamentin e Serbisë aq shumë pikërisht për këto benefite që përfitojnë serbët në raport me shqiptarët dhe popujt e tjerë të rajonit! Autor i këtyre benefiteve është më shumë Edi Rama, sesa Aleksandër Vuçiq. Prandaj dhe kryeministri shqiptar ka fituar simpatinë e të gjithë serbëve. Ndryshe nga Vuçiq, ai simpatizohet edhe nga opozita serbe, edhe nga nacionalistët ekstremistë të Serbisë, edhe nga Kisha dhe elita akademike e Beogradit! Nëse do të bëhej një anketim në Serbi, në Kosovë dhe në Shqipëri, Edi Rama do të merrte duartrokitjet e 99 për qind të serbëve dhe mallkimin e shumicës së shqiptarëve!

Por është për të ardhur keq që në këtë 99 përqindëshin e simpatizantëve serbë bëjnë pjesë edhe disa shqiptarë, të cilët ende e shohin me simpati intrigën Rama-Vuçiq të para shtatë viteve kur kryeministri ynë kërkoi që “Serbia ta njohë Kosovën”! Madje edhe në rrethin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka jo pak të tillë naivë! Shqipfolësit serbo-fil të Prishtinës e Tiranës bëjnë pjesë gjithashtu në këtë kategori naivësh ose shërbëtorësh të sofrës serbe të Beogradit! Edhe nëse një për qind e shqiptarëve e përkrah qëndrimin e Edi Ramës, për mua ky do të ishte një shqetësim shumë i madh! E në fakt janë më shumë sesa një për qind e tyre!

Përkrahja ndaj qëndrimeve pro-serbe e anti-shqiptare të kryeministrit tonë shpreh mjerimin politik e nacional tonin! Shqiptarëve, përfshirë dhe elitën politike dhe akademike të tyre, nuk u bëjnë punë deklarimet për bashkim kombëtar! Ne na duhet më shumë se kjo, bashkimi kundër të keqes! Dhe tashmë e keqja është e identifikuar te shërbimet pro Serbisë dhe interesave të saj të kryeministrit të Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë shqiptarë pranë tij në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi!

Open Balkan u promovua dje në sallën e 250 deputetëve të Serbisë në Beograd! Promovuesi dhe promotori i këtij promovimi ishte Edi Rama. Ndërkaq autori kryesor i kësaj nisme nuk ishte në Serbi. Në të njëjtën kohë kur deputetët serbë po duartrokisnin Edi Ramën, Aleksandër Vuçiq po shtrëngonte duart me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në Moskë. Rastësi?! Asnjëherë nuk ndodhin rastësi në politikë! Çdo akt ka simbolikën dhe mesazhin e vet! Prandaj dhe Gabriel Escobar dha mesazhin e dështimit të Open Balkan, ndërkohë që Rama në këmbë të Vuçiq i kërkoi atij mbështetje për këtë iniciativë serbe që zevendëson iniciativën gjermane të Berlinit!

Takimi i djeshëm është një këmbanë alarmi për ne shqiptarët. Ai takim nuk ishte thjesht promocion, por edhe provokim. Nuk pati të bënte me diçka konkrete, thjesht provokoi sentimentet shqiptare. Ishte gjithashtu metodë intrigash për t’i dhënë Open Balkan-it publicitet dhe imazh pozitiv. Shkurt për ta imponuar me metoda populiste! Antidot i Open Balkan është forcimi i koalicionit kundër tij! Eshtë rezistenca e shqiptarëve kudo ku ata janë. Në radhë të parë Kosova duhet të dëshmojë pjekuri dhe përkushtim kundër këtij puçi anti-shqiptar!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu