Ajo të cilës i tremben prej vitesh klanet serbe e greke duket se shumë shpejt mund të bëhet realitet. Shqiptarët janë sulmuar dhe janë copëtuar sa herë ka pasur luftëra, duke rrudhur ndjeshëm kufirin. Por kohët e fundit po jepen sinjale të qarta se po shkohet drejt të ashtuquajturës Shqipëria e Madhe.
Greqia e Serbia gjithmonë i janë trembur një projekti të tillë, pasi kanë frikë nga kthimi i trojeve që kanë grabitur. Por plani aktual duket se është te bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kryeministri Edi Rama ditët e fundit po jep mesazhe të qarta se e dëshiron shumë një gjë të tillë dhe falë ndërkombëtarëve një ambicie e tillë mund të arrihet. SHBA po punon që të vendoset kufiri final Kosovë-Serbi dhe kjo më pas do sjellë njohjen finale të Kosovës. Pasi të ndodhë, Prishtina mund të marrë çfarëdolloj vendimi, qoftë dhe për atë të bashkimit me Shqipërinë. Por kryeministri Rama ka nisur që tani punën për të treguar se ne jemi një komb.
Futja e Besa Shahinit në qeveri dhe plani për Gent Cakën ishin mesazh i drejtpërdrejtë i Ramës se ne tashmë jemi bashkë. Një tjetër lëvizje e tij është ajo e heqjes së barrierave doganore mes dy vendeve. Kalimet në pikat kufitare tani do jenë pa shumë kontrolle, njësoj sikur të lëvizësh brenda një vendi. Por mesazhi më i qartë i Ramës është dhënë përmes rrjeteve sociale. Së fundmi ai është kritikuar për ministren nga Kosova. Qytetarët i janë ankuar atij për gjuhën e ministres Shaini, por Rama ka treguar se së shpejti ne do jemi bashkë dhe nuk duhet të kapemi pas ndryshimeve gjuhësore. “O zot! 4 fjalë 3 gabime dhe një fjali prej drumepreje, për të përqeshur tingëllimën e të folurës së Kosovës! Po mësohu, mësohu me këtë tingëllimë, ti dhe shumë si puna jote, se do ju duhet të adaptoheni shpejt nën një çati me Kosovën, edhe po nuk deshët ju”, është shprehur kryeministrit Rama. Pra Rama e ka bërë të qartë se bashkimi mes dy vendeve është i pashmangshëm.
Faktorizimi i shqiptarëve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin sinjale se Shqipëria po kthehet në epiqendrën e Ballkanit. Fakti që në Kuçovë do të ngrihet një bazë e NATO është një mesazh shumë i qartë, shqiptarët po marrin vendin që u takon duke u bërë mjaft të rëndësishëm. Po ashtu, SHBA është vendi i parë që doli pro ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Sapo Hashim Thaçi hodhi në dritë këtë ide, vetë Trump dhe funksionarë të tjerë dolën pro një pakti të dakordësuar mes Prishtinës dhe Beogradit. Kjo lëvizje e amerikanëve është një sinjal i qartë për të mbyllur një herë e mirë debatin për Kosovën. Nëse arrihet një marrëveshje, Kosova do njihet nga Beogradi dhe gjithë shtetet e tjera. Kjo pastaj hap rrugën e bashkimit mes shqiptarëve të Kosovës dhe nesh. Amerikanët po tregojnë qartë se grekët, serbët dhe maqedonasit nuk i kanë në plan të parë. Në të tre këto shtete ka rol shumë të madh Rusia dhe SHBA nuk e do një gjë të tillë. Të vetmet shtete që e urrejnë Moskën janë Kosova dhe Shqipëria. Ajo që e forcon akoma më shumë idenë është se këshilltari i Trump telefonoi dje kryeministrin Edi Rama ku kanë biseduar po për kufijtë e Ballkanit. Pra çdo ditë që kalon, rriten idetë se Shqipëria e Kosova do shkojnë drejt bashkimit duke hedhur themelet e Shqipërisë së Madhe.