I ftuari i mbrëmshëm në emisionin “Arena” në Televizionin “Shenja”, Adrian Shtuni, sqaroi se ekziston një diferencë e madhe midis terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Ekstremizmi i dhunshëm është një koncept i gjerë që ka të bëjë me procesin e radikalizimit të individëve, rekrutimit dhe mobilizimit, ndërsa terrorizëm nënkupton vepra që shkaktojnë dhunë.
“Kryesisht këtu në Maqedoni e kam vënë re por edhe në vendet tjera të Ballkanit, është që termi ‘Përballje me ekstremizmin e dhunshëm’, transformohet ose përkthehet si luftë ndaj ekstremizmit.
Për mendimin tim është një keq përkthim i termit në radhë të parë sepse nuk flitet për luftë por flitet për përballje me ekstremizmin e dhunshëm”, tha konsulenti për marrëdhënie ndërkombëtare Adrian Shtuni.
Ndërsa sa i takon individëve të cilët shkojnë për të luftuar në Lindjen e Mesme, ai nënvizoi se nuk është duke u punuar mjaftueshëm në drejtim të ndalimit të shkuarjes së tyre atje ose çfarë e shkakton radikalizimin e individëve dhe rekrutimin e tyre.
“Nuk mendoj se është duke u bërë mjaftueshëm në lidhje me riintegrimin e personave të cilët janë kthyer dhe risocializimin e tyre, pra rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri, pse e them këtë, këta individ që kanë shkuar dhe janë kthyer, nuk janë të gjithë për t’u etiketuar si një gjë ose një gjë tjetër.
D.m.th ka shumë arsye që i kanë motivuar këta individë që të shkojnë aty, dhe pa e kuptuar saktësisht kur të kthehen pse kanë shkuar, është më mirë që të mos përgjithësojmë sepse duke përgjithësuar e përkeqësojmë fenomenin dhe nuk ndihmojmë në të”, theksoi Shtuni.
Më tej, ai shtoi se ekstremizmi i dhunshëm, në fakt nuk njeh religjion e as kombësi, prandaj duhet të nënvizohet rëndësia e interpretimit të drejtë të fesë cilado që të jetë ajo në mënyrë që të kuptohet thelbi, esenca e fesë që në fund të fundit ajo është paqe.