Afganistani po rrëshqet drejt zisë së bukës, paralajmërojnë punonjësit e ndihmës që veprojnë në njërën prej krizave më të mëdha humanitare në botë.
Miliona afganë tashmë jetojnë në kushte të ngjashme me urinë dhe ndalesa e përhershme e ndihmës amerikane vetëm se mund ta përkeqësojë situatën.
Kështu thonë dy punonjës humanitarë, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, meqë nuk ishin të autorizuar të flisnin për mediat.
Të dy punojnë për organizata të mëdha ndërkombëtare, të cilat ofrojnë ndihma ushqimore për komunitetet e cenueshme në Afganistan.
“Ka tashmë uri të përhapur në disa cepa të Afganistanit”, thotë njëri prej tyre, i cili është i vendosur në juglindje të Afganistanit.
“Uri në shumicën e vendeve”
Marrja e pushtetit nga talibanët në vitin 2021 e përkeqësoi krizën e madhe humanitare në Afganistan. Për pasojë, vendi i varfër humbi ndihmën jetike perëndimore dhe ekonomia e tij u shemb.
Uria, ndërkohë, u shmang, falë fondeve të konsiderueshme nga donatorët perëndimorë. Megjithatë, kjo ndihmë u zvogëlua ndjeshëm në vitet e fundit.
Rreth një e treta e popullsisë 40-milionëshe të Afganistanit, aktualisht, përballet me urinë.
Frika për zi buke u rrit që nga vendimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në janar, për ta ngrirë përkohësisht gjithë ndihmën për vendet e huaja, përfshirë Afganistanin.
Ndërprerja e përhershme e ndihmës nga SHBA-ja – donatorja më e madhe për Afganistanin – do ta shtynte vendin drejt urisë në shkallë të plotë, paralajmërojnë punonjësit e ndihmës.
“Pa ndihmë humanitare, mund të ketë uri në shumicën e vendeve”, thotë punonjësi i ndihmës.
Sipas tij, provincat e thata perëndimore, qendrore dhe veriore të Afganistanit janë më të rrezikuarat.
Por, disa punonjës dhe organizata të tjera të ndihmës thonë se është ende herët të thuhet se Afganistani është në kushte të ngjashme me urinë, ose po shkon drejt zisë për bukë.
Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) e përcakton urinë si “një situatë në të cilën së paku një në pesë familje ka mungesë ekstreme të ushqimit dhe përballet me uri dhe varfëri, çfarë rezulton me nivele jashtëzakonisht kritike të kequshqyerjes akute dhe vdekje”.
IPC-ja vlerëson se mbi 3 milionë afganë – ose më pak se 10 për qind e popullsisë – vuajnë nga nivele emergjente të pasigurisë ushqimore dhe janë një hap larg urisë.
Nivelet emergjente të pasigurisë ushqimore
Qeveria talibane, e cila nuk është njohur nga asnjë vend, nuk ishte në gjendje ose nuk u përpoq ta trajtonte katastrofën humanitare.
Kjo bëri që OKB-ja dhe OJQ-të ndërkombëtare ta mbushin boshllëkun.
Këto organizata, aktualisht, shpërndajnë ushqime për miliona afganë, përfshirë: vaj gatimi, oriz dhe miell. Ato ofrojnë edhe plehra, fara dhe mjete të tjera për përdorim në bujqësi.
Pa këtë mbështetje, fermerët do ta kenë të vështirë për të prodhuar ushqim të mjaftueshëm për familjet dhe komunitetet e tyre.
“Pa ndihma, unë mund të shoh uri masive brenda muajsh”, thotë njëri nga punonjësit e ndihmës për Radion Evropa e Lirë.
Fëmijët dhe gratë janë kategoritë më të rrezikuara. Rreth 3.5 milionë fëmijë afganë nën moshën pesëvjeçare “vuajnë ose parashikohet të vuajnë” nga kequshqyerja akute, sipas IPC-së.
Spitalet në të gjithë Afganistanin janë të mbushura me fëmijë të kequshqyer.
Mjekët paralajmërojnë rritje të vdekshmërisë së fëmijëve nëse humbasin mbështetjen ndërkombëtare për të trajtuar fëmijët e uritur.
“Kriza e ushqimit në Afganistan është alarmante”, thotë Terje Watterdal, drejtor i Komitetit Norvegjez të Afganistanit (NAC).
E ardhme “e zymtë”
Ndihma humanitare për Afganistanin u zvogëlua ndjeshëm që nga viti 2022, kur donatorët ndërkombëtarë mblodhën rreth 3.8 miliardë dollarë. Në vitin 2024, financimi ra për rreth 25 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Shtetet e Bashkuara ishin donatoret më të mëdha, duke kontribuar me rreth 3.7 miliardë dollarë që nga viti 2021, sipas Inspektorit të Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit – një mbikëqyrës ky i Qeverisë amerikane.