Muaji i Ramazanit është një nga periudhat më të rëndësishme fetare, sepse gjatë tij pastrohen shpirtrat, afrohen zemrat më pranë krijuesit të Tyre, hapen dyert e parajsës, shtohet mirëbërja; në këtë periudhë-muaj zbriti Kurani famëlartë, Muhamedit (a. s.), pejgamber si udhëzues për njerëzit, dallues mes të mirës e të keqes, udhërëfyes kah mirësia dhe dallues i rrugëve të humbjes e të përparimit.
Shkruan: prof. Resmije Xhaferi Sait
Zoti e obligoi agjërimin e Ramazanit, i cili i shpërblen agjëruesit, realizon premtimin, kështu që Bujaria e Tij s’krahasohet me asgjë. “O ju që besuat, agjërimi ju eshte bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu qe te bëheni të devotshëm,’’( el – Bekare ,183), d.m.th. Allahu (xh. sh.) e bëri obligim agjërimin ashtu siç e bëri për të gjithë popujt e mëhershëm. Shembulli dhe krahasimi ka te bëjë me gjenëzen e detyrimit të agjërimit, e jo me kohën dhe mënyrën se si bëhet ai. Andaj, kemi të bëjmë me faktin se agjërimi në shpirt mbjell moral ose sjellje të devotshmërisë, e dobëson epshin, e përforcon vullnetin dhe vendosmërinë. Agjërimi e afron adhuruesin më afër Krijuesit, e njëherit atij i pranohet edhe lutja. Allahu (xh. sh.) në Kuran thotë: “E kur robërit e Mi të pyesin ty për mua, Une jam afër, i pergjigjem lutjes kur lutësi me lutet; pra, për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojne Mua.” (El Bekare ,186)
Për lutjet ka kohë dhe momente në te cilat shpresohet pranimi i tyre, siç janë: koha e syfirit, e iftarit, koha e vështiresisë, koha mes ezanit dhe ikametit, koha e udhëtimit, periudha e sëmundjes, gjatë rënies së shiut dhe gjatë rreshtimit për në luftë; momente këto që përfshihen në traditën, Sunnetin e Resulullahut (s.a.v.s.).
Kuptimi i sintagmës “…le të më përgjigjen ata Mua…” (El Bekare ,186) d.m.th. ka domethënien e urdhrit e Zotit: Le ta pranojnë thirrjen Time për atë qe i kam urdhëruar, për besim dhe nënshtrim. E nese e bëjne këte, atëherë e kanë pasuar rrugën e shpëtimit dhe te vërteten.
Rreth rëndësisë së agjërimit dhe përgjithësisht muajit Ramazan flasin edhe shume hadithe të Pejgamberit (a. s.), Sunneti i tij, por edhe shumë dijetarë të urtë.
Përcillet nga Ebu Hurejre (r. a.) se Muhammedi (a. s.) thotë: “Ai që agjëron Ramazanin me një besim të paluhatshëm dhe duke shpresuar në shpërblim, atij i falen mëkatet (e vogla) e së kaluarës. Po ashtu, ai i cili e manifeston (me ibadet) natën e Kadrit me një besim të paluhatshëm dhe duke shpresuar në shpërblim, po ashtu i falen mëkatet (e vogla) e së kaluarës.” (Transmetojnë: Buhariu, Muslimi dhe Nesaiu, ndërsa teksti është i këtij të fundit)
Tirmidhiu përcjell nga Muadh bin Xhebeli, i cili ka thënë: “I thashë Muhammedit (a. s.): “Më trego për një veprim i cili do të më largonte nga xhehenemi’. Ai (Muhammedi a. s.) tha: ‘Ke pyetur për një çeshtje madhore, ajo çështje i lehtësohet atij të cilit ia lehtëson Allahu (xh. sh.). Ajo është të adhurosh Allahun (xh. sh.). duke mos i bërë shok askënd, ta zbatosh namazin, ta zbatosh zeqatin, ta agjërosh Ramazanin dhe ta zbatosh haxhillëkun po qe se ke mundësi.” Dhe vazhdoi Muhammedi (a. s.): “A dëshiron të tregoj për rrugët e dobishme? Agjërimi është mbrojtës, sadakaja (lëmosha) dhe namazi i myslimanit në thellësinë e natës i eliminojnë gabimet (mëkatet) ashtu siç e shuan uji zjarrin.” Pastaj, Muhamedi (a. s.) lexoi fjalët e Allahut (xh. sh.) (“I heqin trupat e tyre prej shtretërve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe shpresa dhe nga ajo që ne u kemi dhënë (pasuri) atyre, ata japin. Pra, për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e të shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.“ (Es-Sexhde, 16-17) Në vazhdim Muhamedi (a. s.) tha: “A dëshiron të të informoj për çështjen kryesore, për shtyllat e saj dhe për kulminacionin e saj?” Muadhi përgjigjet: “Po, o pejgamber i Allahut.” Muhamedi (a. s.) tha: ‘Çështja kryesore është Islami, shtyllat e saj janë namazi dhe kulminacioni i saj është përpjekja në rrugën e Allahut (xh. sh.).” Më pastaj, Muhamedi (a. s.) tha: “Të mjafton kjo!” dhe bëri shenjë në gjuhë. Muadhi i tha: “A merremi në përgjegjësi për atë që flasim me gjuhë?” Muhamedi (a. s.) tha: “Lum nëna që të ka, o Muadh, po njerëzit nuk përplasen me fytyrë në xhehenem – ose ka thënë me turi – përveçse për shkak të përgojimit.”
Ibn Hazimi nga koleksioni i tij “Sahih” informatën e zgjedh si të saktë, të cilën e transmeton nga Bejhekiu, ndërkaq Ebu Shejh bin Habbani për çështjen e shpërblimit përcjell nga dy të parët, të cilët e përcjellin nga Selman Farisiu, e ky nga Muhamedi (a. s.), se një ditë Pejgamberi e ka mbajtur një ligjëratë në ditën e fundit të Shabanit, duke thënë: “O njerëz, juve ju bën hije një muaj i madh e i bekuar, muaj në të cilin është një natë më e dobishme se një mijë muaj. Allahu agjërimin e ka bërë farz (obligim), namazin e teravisë, ibadetet -vullnetare. Kush në të bën një të mirë (jo obligative), ajo vlen sikur ta kishte bërë një farz (obligim) jashtë tij (Ramazanit). Kush e zbaton një obligim në të, konsiderohet sikur të kishte zbatuar shtatëdhjetë obligime (farz) jashtë tij. E ai është muaji i durimit – e shpërblimi i durimit është xheneti, po ashtu është muaji i qetësisë, i ndihmës reciproke dhe në të besimtarit i shtohet furnizimi (risku).” Më tej vazhdon e thotë: “Në të shtoni katër të mira: dy të mira janë me të cilat e kënaqni Zotin tuaj, e dy të tjerat janë që nuk ka pasuri më të madhe për ju se ato. Sa u përket dy të mirave me të cilat e kënaqni Zotin tuaj, ato janë: të dëshmoni se nuk ka Zot përveç Allahut dhe të kërkoni falje prej Tij. E sa u përket atyre dyjave që ‘nuk ka pasuri më të madhe se ato’, janë: të kërkoni prej Allahut xhenetin dhe të kërkoni prej Tij që t’ju ruajë prej xhehenemit. E ai që një agjëruesit i jep diç të pijë, atij Allahu i jep të pijë nga kroi im, ashtu që nuk do të ndjejë etje derisa të hyjë në xhenet.”
Ebu Hamid El-Gazaliu
Agjërimi është zeqat për shpirtin, ushtrim për trupin, shkas për të mirë, siguri për individin dhe për shoqërinë, pastrim për zemrën, aftësi për mendjen. Ai ndikon pozitivisht për t’i parë gjërat objektivisht, meqë ngopja i shërben marrisë, bën komplikime në tru, e pengon të kuptuarit. Kështu që, kur fëmija ngopet, ajo e paaftëson mbamendjen dhe të kuptuarit e tij. Andaj, jepuni jetë zemrave tuaja me pak ushqim dhe me pak qeshje; ndërkaq pastrimi i tyre bëhet me uri, që njëherazi ndikon edhe në sinqeritetin dhe ndjeshmërinë e tyre.
Llokman Hakimi
O biri im kur ti e ngop lukthin, të menduarit bie në gjumë e urtësia hesht, ndërkaq pjesët e trupit pushojnë së adhuruari.
Imam Shafiu
Për agjëruesin në muajin e Ramazanit më e dëshirueshme duhet të jetë bujaria, duke përcjellë shëmbëlltyrën e Muhamedit (a. s.), sepse nevojat dhe interesat e njerëzve, si dhe angazhimi i tyre, duhet të jenë më shumë për adhurim sesa për fitim.
Dijeni se Allahu (xh. sh.) gjithçka ka krijuar dhe përcaktuar me urtësi, e cila shpesh është e pakuptueshmë për ne. Ai është Hakim – i Urti. Ai asgjë nuk ka krijuar për zbavitje dhe së koti. Por, edhe ligjet dhe dispozitat e Tij nuk i ka themeluar pa kuptim. Njerëzit i ka krijuar për shkak të çështjes madhore, dhe u ka sqaruar ç’është sirati-mustekim – rruga e drejtë. U ka përcaktuar ceremonitë, përmes të cilave do ta shtojnë imanin e tyre dhe do ta plotësojnë bindjen e tyre ndaj Tij, Allahut (xh. sh.).
Asnjë ibadet – ceremoni fetare që e ka përcaktuar Allahu për robërit e Tij nuk është pa urtësi të thellë dhe pa mësim, të cilën e kanë kuptuar njerëzit e mençur dhe të arsyeshëm, ndërsa nuk e kanë përfillur xhahilët dhe injorantët. Mosnjohja jonë e hikmetit dhe urtësisë në një ibadet nuk do të thotë se kjo urtësi nuk ekziston. Përkundër kësaj, ky është argument për pafuqinë dhe dobësinë tonë kur është fjala për arritjen dhe njohjen e urtësisë së Allahut.
“E juve ju është dhënë fort pak dije” (El-Isra, 85) – thotë Allahu (xh. sh.).
Allahu i madhërishëm i ka përcaktuar dhe obliguar ibadetet dhe detyrat në mënyrë që robërit e vet t’i vë në sprovë dhe provim, për të parë cili është rob i vërtetë i Zotit e cili është rob i pasioneve të veta.
Ai i cili të gjitha dispozitat i pranon me kënaqësi dhe synon t’i zbatojë, ai është rob i Zotit të vet. Ndërsa ai që nuk i pranon dispozitat dhe ibadetet, apo merr vetëm atë që i përshtatet dhe që është në harmoni me qëllimet e tij, ai është rob i pasioneve të veta. Ky i pari është i kënaqur me dispozitat e Allahut, ndërsa i dyti është i pakënaqur me to. Ai e refuzon bindjen ndaj Zotit dhe u nënshtrohet pasioneve të veta, në vend që pasionet t’i nënshtrohen atij.
Me të kuptuarit e tij të kufizuar dhe urtësinë e paktë, ai dëshiron që dispozitat e Allahut t’ua përshtat dëshirave dhe kërkesave të veta.
“E sikur Allahu t’i pasonte dëshirat e tyre, me siguri nuk do të kishte rregull në qiej dhe tokë dhe çdo gjë që gjendet në to; ndërkaq që Ne atyre u sollëm Kuranin, si paralajmërim, por ata nuk çajnë kokën për paralajmërimin e vet.” (El-Mu’minun, 71)
Prej urtësisë së Allahut është edhe ajo që ibadetet i ka bërë të ndryshme, në mënyrë që dikush t’i pranojë e dikush t’i refuzojë.
“Dhe që Allahu t’i pastrojë besimtarët, ndërsa t’i shkatërrojë jobesimtarët” (Ali Imran, 141).
Pastaj, Allahu (xh. sh.) disa ibadete i ka përcaktuar dhe obliguar që të kryhen me trup, siç është namazi. Disa janë të lidhura edhe me trup, edhe me pasuri, siç është haxhi apo xhihadi.
Disa ibadete përkufizohen në atë që njeriu të përmbahet nga ndonjë gjë e pëlqyer dhe nga ndonjë qejf. Shembull i tillë është agjërimi. Prandaj, kur njeriu i kryen të gjitha këto ibadete të ndryshme dhe synon t’i përmbushë ashtu siç kërkohet prej tij, pa hezitim, ai nuk ndjen lodhje, punon me kënaqësi, e shpenzon atë që e ka më të dashur, përmbahet nga ajo që i pëlqen – të gjitha këto veprime i kryen nga bindja ndaj Zotit të tij dhe dashuria ndaj Tij. Kjo është dëshmi e qartë e besimtarit për robërimin dhe bindjen e plotë, si dhe për respektin ndaj Allahut të madhërishëm.
Kur e kuptojmë krejt këtë dhe gjykojmë për këtë, do të shohim se në agjërim ka shumë urtësi, për të cilat ai edhe meriton të jetë njëri prej farzeve të Allahut dhe njëri prej sharteve të Islamit.
Njëra nga këto urtësi të agjërimit është se ai është ibadet gjatë të cilit robi i Allahut i afrohet Zotit të vet duke i braktisur gjërat dhe kërkesat më të pëlqyera, të cilat, përndryshe, i janë lejuar, qoftë kur është fjala për ushqim dhe pije, qoftë për marrëdhëniet seksuale. Me këtë shfaqet sinqeriteti i imanit të njeriut dhe tërësia e nënshtrimit të tij ndaj Allahut, si dhe dashuria ndaj Tij dhe shpresa për atë që e pret tek Ai. Njeriu kurrë nuk do ta braktisë atë që i pëlqen, veç nëse nuk është fjala për Dikë që është më i Vlefshëm për të. Kur besimtari e di se kënaqësia e Allahut është në agjërim, në braktisjen e gjërave të lejuara, ai i jep përparësi kënaqësisë së Allahut në raport me qejfin e vet. Braktisja e qejfeve është më e fortë se dëshira për to, dhe në këtë është kënaqësia e plotë e një mu’mini. Kjo është një nga urtësitë më të mëdha dhe më të rëndësishme të agjërimit.
Nga urtësitë e agjërimit është edhe ajo që ai është bërë si sebep-shkas për takvallëk – d.m.th. devotshmëri, siç thotë Allahu i madhërishëm:
“O besimtarë, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm.”
Prandaj, agjëruesit i është urdhëruar të jetë i bindur dhe të ruhet nga të gjitha llojet e mëkateve, siç shihet edhe nga hadithi i Muhamedit (s.a.v.s.): “Kush nuk e braktis gënjeshtrën dhe të vepruarit sipas saj, vërtet Allahu nuk ka nevojë që ai ta braktis ushqimin dhe pijen.” (Buhariu)
Kur agjëruesi është i preokupuar me agjërimin e tij, kur mendon të bëjë diç të papëlqyeshme, i kujtohet se është duke agjëruar dhe menjëherë heq dorë nga ky akt. Prandaj, Pejgamberi i ka urdhëruar agjëruesit që t’i thonë atij që fyen apo që sulmon: “jam agjërueshëm”. Me këtë e paralajmëron çdonjërin se atij si agjërues nuk i lejohet të fyejë e as të flasë fjalë të papëlqyeshme.
Njëkohësisht, agjëruesi e paralajmëron edhe veten, se agjërimi është arsye e fortë që nuk i lejon të futet në grindje dhe konflikte.
Urtësia e agjërimit është edhe ajo që zemra e agjëruesit është më e lirë dhe më e aftë për përsiatje dhe dhikr – të kujtuarit dhe të përmendurit e Allahut. Kjo për arsye se njeriu i cili u nënshtrohet pasioneve të veta, bëhet i pakujdesshëm, ndërsa zemra e tij ngurtësohet dhe nuk e shikon të vërtetën. Prandaj, Pejgamberi (s.a.v.s.) na këshillon që kurrë të mos e teprojmë me ushqim dhe pije. Ai deklaron: “Njeriu kurrë nuk mbush enë më të keqe se stomakun e vet. I mjaftojnë vetëm aq kafshata, sa janë të domosdoshme që të jetojë jetën normale; e nëse dëshiron të ngopet mirë, atëherë një pjesë të stomakut le ta mbushë me ushqim, një pjesë me ujë dhe një pjesë duhet lënë që të mund të merr frymë lirshëm.” (Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe)
Një dijetar ka deklaruar: “Kur njeriu është i uritur dhe i etur, zemra e tij është e pastër dhe e kthjellur, ndërsa kur njeriu është i ngopur, zemra e tij është e ngurtë dhe e verbër.”
Nga urtësitë e agjërimit është edhe ajo që i pasuri ta kuptojë vlerën e begative të Allahut dhe ni’metit që e posedon në pasurinë e vet. Ai e pranon se Allahu është Ai që i ka dhënë ushqimin edhe pijen dhe familjen, ndërsa krejt këtë kënaqësi shumë njerëz kurrë nuk e kanë provuar. Për këtë arsye, ai vazhdimisht e falënderon Allahun për të gjitha të mirat dhe lehtësimet, duke kujtuar, njëkohësisht, vëllain e vet të varfër mysliman, i cili mbase ka fjetur i uritur dhe i mjerë.
Urtësia e agjërimit është edhe ajo që me uri dhe etje ngushtohen enët e gjakut, respektivisht venat nëpër të cilat qarkullon gjaku. Me këtë ngushtohet edhe të ecurit e shejtanit nëpër trupin e njeriut, ngase shejtani qarkullon nëpër trupin e njeriut siç qarkullon gjaku – siç thuhet në një hadith sahih, ku rekomandohet agjërimi, në mënyrë që të zvogëlohen vesveset dhe mashtrimet e shejtanit.
Njëkohësisht, bien pasionet e njeriut, zemërimi dhe të ngjashme.
Prandaj, Pejgamberi (s.a.v.s.) thotë: “O çuna, cili prej jush ka mundësi, le të martohet, ngase kjo është më e mirë dhe më e sigurt për ruajtjen e të parit dhe të pastërtisë suaj; ndërsa ai që nuk ka mundësi për martesë, le të agjërojë, ngase agjërimi do t’i bëhet perde apo pengesë nga zjarri i xhehenemit.” (Buhariu dhe Muslimi)
Në urtësinë e agjërimit bëjnë pjesë edhe dobi të shumta, ndërsa kanë të bëjnë me situatat shëndetësore të njeriut që agjëron. Është e vërtetë, dhe këtë e pranojnë edhe shumë specialistë të mjekësisë që nuk janë myslimanë, se agjërimi ndikon shumë në shëndetin e njeriut. Këtu mendojmë në të gjitha poret dhe pjesët e organizmit të njeriut, dhe jo vetëm në stomakun dhe organet e tretjes. Muhamedi (s.a.v.s.) lidhur me këtë thotë: “Agjëroni, dhe do të jeni të shëndoshë.” Shkurt, agjërimi ka shumë dobi edhe nga aspekti i shëndetit, dhe kjo është një nga urtësitë e tij.
Zoti ynë, na mëso në fenë Tënde siç është më mirë dhe bëje që t’i kuptojmë ato fshehtësi të dispozitave Tuaja, të cilat do të na shërbejnë dhe do të na nevojiten. Përmirësoje gjendjen tonë edhe në aspektin e dinit- besimit dhe të dynjallëkut-punëve të kësaj bote. Na fal mëkatet edhe neve, edhe prindërve tanë, edhe të gjithë myslimanëve, o më i Madhi Mëshirues! Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi pejgamberin tonë, Muhamedin (s.a.v.s.), dhe qoftë falënderuar Zoti i të gjithë botëve!