Qytetarët e Shtipit thonë se nuk mbajnë mend kur për herë të fundit ka pasur kaq persona në stadium për të përcjellë ndeshjet e klubit të futbollit të këtij qyteti. Njësitë e policisë së rregullt dhe ata për intervenim të shpejtë dhuruan spektakël për publikun në vigjilje të ditës shtetërore të policisë. Por atraksioni kryesor ishte njësiti special “Tigrat”.
Pikërisht për këtë njësit, ministri Spasovski siguroi uniforma të reja, por këto uniforma nuk i vesh asnjë person nga etnitë e tjera, sepse të gjithë pjesëtarët e kësaj njësie janë të nacionalitetit maqedonas. Se ka pasur diskriminime më herët e pranoi edhe zëvendësi i Spasovskit, Agim Nuhiu, kurse këtë nuk e mohon as Spasovski. Ai thotë se në të kaluarën ka pasur diskriminim në të gjitha sferat sepse sistemi ka qenë jofunksional, por në të ardhmen dyert për te “Tigrat” do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e vendit.
“Dyert e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë të hapura për të gjithë personat me qëllim të mirë dhe për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e sistemit mbrojtës të shtetit”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Ministri Spasovski premtoi rritje të rrogave për policinë, kurse u dërgoi mesazh edhe atyre që sipas tij kanë përdorur policinë për interesa personale dhe e kanë kthyer kundër popullit të vet.
Para vetëm një viti, Maqedonia u përball me kërcënim serioz të sigurisë dhe u rrezikua rendi kushtetues. Ishim në prag të luftës qytetare dhe viktimave të reja për shkak të interesave personale të disa personave vetjakë. Motivet dhe shkaqet janë shumë mirë të njohura, por edhe kreatorët dhe kryerësit nuk guxojnë të mbesin të padënuar. Posaçërisht ata që e kanë keqpërdorur policinë dhe tentuan ta kthejnë kundër popullit të vet.
Për herë të parë pas shumë viteve prej 1 dhjetorit të këtij viti, 4900 polic do të ketë rritje të rrogës, që në nivel vjetër ministrisë do ti kushtojë 79 milion denarë”, tha Spasovski.
Qytetarët e Shtipit kanë besim tek policia dhe janë të mendimit se ata e kryejnë punën mirë, por nuk kanë besim tek sistemi i drejtësisë. Siç u shpreh njëri nga të anketuarit, policia i burgos kurse ata tjerët i lëshojnë.
“Unë jam ish polic… do të duhej që besim më të madh të kemi tek policia.”
“Duhet ti besojmë policisë edhe tani.”
“Unë i besoj policisë por nuk iu besoj atyre që më pas i lëshojnë. Ata mirë e kryejnë punën por nga ana tjetër i lëshojnë, kot i burgosin.”, thanë disa qytetarë.
Në kuadër të shënimit të Ditës së Policisë në vend, nesër ministri Oliver Spasovski do të vendosë lule tek përmendorja e policëve të rënë.