Aksidenti fatal në Sardenjë: Kush ishin pas timonit të një Ferrari dhe Lamborghini

Autoritetet në Sardenjë kanë nisur një hetim për miliarderin indian Vikas Oberoi, i cili po ngiste një Lamborghini që u përfshi në një aksident fatal gjatë një turneu me supermakina në ishull.

Sipas Daily Mail, 54-vjeçari i pasurive të paluajtshme kishte pranë tij gruan Gayatri Joshi, në momentin e aksidentit. Siç thuhet, autoritetet vendase po hetojnë mundësinë që Oberoi të ketë shkaktuar aksidentin tronditës të trafikut që përfundoi me vdekjen e një çifti turistësh zviceranë, të cilët ishin në një Ferrari që u përplas nga Lamborghini, ndërsa të dyja mjetet po tentonin të parakalonin një autohomë në të njëjtën kohë.

Në videon e publikuar nga gazeta britanike, e cila është kapur nga kamera e një automjeti tjetër, shihen makinat e shtrenjta duke parakaluar furgonin e bardhë rulotë në një rrugë në jug të Sardenjës.

Pak sekonda më vonë, Ferrari i kuq, i drejtuar nga zviceranët Markus dhe Melista Krautli, tentoi të parakalonte Lamborghinin blu të drejtuar nga Oberoi dhe karvanin përpara. Manjati indian duket se ka pasur të njëjtin mendim në të njëjtën kohë, për pasojë dy supermakinat janë përplasur dhe Lamborghini ka goditur gjithashtu dhe rulotën, duke bërë që ajo të përmbyset.

Siç raporton Daily Mail, Ferrari ka dalë nga rruga, është përmbysur dhe ka shpërthyer në flakë, me çiftin e turistëve zviceranë të bllokuar brenda që kësisoj kanë humbur jetën.

Nga përplasja mbetën të plagosur edhe çifti në rulotë, turistë nga qyteti Selva di Val Gardena.

Ndërkohë që fillimisht kishte raportime se pasagjerët në Lamborghini u plagosën, Joshi i tha një media indiane se ajo dhe burri i saj ishin “mirë”.

Oberoi besohet të jetë një nga njerëzit më të pasur në Indi. Prona e tij përfshin një zinxhir të madh hotelesh luksoze si dhe shtatë anije lundrimi. Manjati është gjithashtu kreu i kompanisë së zhvillimit të pronave Oberoi Realty, e cila ndërton dhe shet rezidenca luksoze në Mumbai.

Hetimi që ka nisur nga prokurorët e Cagliarit ka të bëjë me një vrasje të dyfishtë, që do të thotë se, nëse shoferi përgjegjës ndiqet penalisht dhe më pas dënohet, rrezikon një dënim me burg deri në shtatë vjet.

Sipas mediave italiane, të gjithë pasagjerët e supermakinave morën pjesë në turneun Sardinia Supercar Experience që nisi në Teulada dhe do të përfundonte me mbërritjen e pjesëmarrësve në Olbia.

Turi zgjat disa ditë, gjatë të cilit turistët vizitojnë vende të rëndësishme të ishullit duke ngarë Ferrari dhe Lamborghini, ndërsa kalojnë mbrëmjet e tyre në hotele luksoze.

Kompania që organizon turet me guidë u jep mundësinë të interesuarve të marrin pjesë në event me makinën e tyre ose të marrin me qira një nga automjetet e saj luksoze, me koston e rritjes sigurisht me mijëra euro në rastin e dytë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu