Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar përmes një postimi në platformën X lidhur me hapjen e urës kryesore mbi Ibër, që e ndan Mitrovicën në dy pjesë.
Në deklaratën e tij, Kurti shpreh bindjen se homologu i tij, Aleksandër Vuçiç synon të krijojë një atmosferë frike, që rrjedhimisht të detyrojë KFOR-in të reagojë.
Sipas Kurtit, hapja e kësaj ure synon vetëm ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve, teksa është shprehur se këto akuza nga presidenti serb janë një paralajmërim për një sulm të mundshëm nga Serbia.
Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe.
Deklarata e plotë:
“Me pretendimet e rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë një atmosferë frike dhe të shkaktojë reagimin e KFOR-it në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do të përgjigjet. Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë.”