Papunësia e të rinjve në Maqedoni kap shifrat ndër më të lartat në botë. Sipas hulumtimit të kryer nga Fondacioni “Friedrich Eber”, zyra në Shkup, mbi papunësinë tek të rinjtë në Republikën e Maqedonisë për vitin 2016, thuhet se në Maqedoni norma e papunësisë tek të rinjtë, e cila është 52.9 është alarmante, duke u radhitur në vendin e tretë në listën botërore.
Nina Starova, autore dhe prezantuese e hulumtimit, theksoi se mbi 60 përqind e të rinjve në këtë vend mendojnë se është vështirë të gjendet punë. Ajo shtoi se këto hulumtime tregojnë se faktori kryesor për punësim janë lidhjet personale dhe politike.
“Fatkeqësisht për shkak të mungesës së këshillimit të karrierës shpresat e tyre nga tregu i punës janë joreale dhe nuk kanë njohuri për tregun e punë. 50 përqind e të rinjve në vend preferojnë të punojnë në administratë publike, ndërsa 50 përqind mendojnë ose përgatitet të lëshojnë vendin”, deklaroi Nina Starova, “Friedrich Eber”.
Profesori universitar, Dragan Tevdovski, tha se kjo normë e papunësisë tregon se pse të rinjtë largohen nga vendi. Sipas tij, politikat aktuale në vend nuk japin rezultate të mira për motivimin e të rinjve.
“Tani pyetja kryesore duhet të jetë çfarë duhet të bëhet, çfarë duhet të ndryshohet. Do të thotë, qëndrimi im është duhet të rriten mjetet e buxhetit të paktën për tre herë që ndahen për masa aktive për punësim, para së gjithash për të rinjtë. Të gjitha masat, jo vetëm për të rinjtë, që janë ndarë viteve të kaluara ishin shumë pak, ata mesatarish në vit janë më pak edhe se çmimi i një përmendore në shesh, ndërsa nga ana tjetër papunësia është problemi më i madh i Maqedonisë”, ka deklaruar Dragan Tevdovski, Profesori universitar.
Tevdovski shtoi se të dhënat e hulumtimit janë marrë nga Enti Shtetëror për Statistikë. Por, sipas tij, të dhënat e këtij enti janë nga regjistrimi i vitit 2002 dhe se nuk kanë prezentim më të mirë nga ajo që është popullsia e vërtetë dhe me siguri popullsia është ndryshuar shumë nga viti 2002. Ai ka vlerësuar se një ndër punët kryesore për të cilën ka nevojë Maqedonia është të dhëna të sakta për papunësinë dhe për këtë duhet regjistrim i popullsisë. Teuta Buçi /SHENJA/