Alarmante, gjendja e mjedisit në Kosovë po përkeqësohet

Gjendja e mjedisit në Kosovë është shumë alarmante. Kështu tha kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina gjatë raportimit vjetor në Komisionin për Bujqësi, Pylltari Zhvillim Rajonal dhe Planifikim Hapësinor.

Morina tha se qytetarët e Kosovës janë duke jetuar në një ajër të ndotur dhe të kontaminuar.

Morina ka treguar se shumica e njerëzve jetojnë afër deponive të cilat janë tepër të rrezikshme.

Kryesuesi Morina, gjatë raportimit paraqiti gjendjen e mjedisit për vitin 2016, me të gjeturat kryesore nga monitorimi i punës së këtij agjencioni. Në vijim, ai bëri të ditur se janë realizuar 577 vizita, janë nxjerr 29 vendime për inspektime, 530 rekomandime dhe njoftime etj.

Po ashtu, ai theksoi se shqetësim të madh për mjedisin në vendin tonë paraqet ndotja e ajrit, duke sjellë tejkalime të shpeshta të vlerave të përcaktuara. Sipas Morinës, shqetësuese për mjedisin është edhe rritja e trendit të shfrytëzimit të pakontrolluar të inerteve nga shtretërit e lumenjve dhe shkatërrimi i tyre. Ndër të tjera, ai përmendi edhe shkaktarët e një sërë sëmundjeve tek njerëzit, që vijnë si pasojë e ndotjes së mjedisit ku jetojmë.

“Sa i përket cilësisë së ajrit konstatohet se tejkalimet më të shpeshta të vlerave limite janë regjistruar për Grimcat e PM10 dhe PM25 (në Prishtinë, Obiliq dhe Drenas), ndërsa që ka pasur raste të tejkalimeve edhe për vlerat limite të Ozonit. Edhe gjatë vitit 2017 paraqiten ndotje të përafërta sikurse në periudhat e njëjta të viteve paraprake, sepse burimet janë të njëjta”, ka thënë Morina.

Anëtaret e komisionit nga ana e tyre, shtruan një varg pyetjesh dhe ngritën shqetësime lidhur me mbrojtjen e mjedisit, si: ndotja dhe mosriciklimi i mbeturinave, si dhe taksat e parkingut në Brezovicë, gjendja e rëndë e tokave bujqësore, ndotja e ujërave, tejkalimi i ajrit nga lëndët djegëse etj.

Morina, para anëtarëve të komisionit dha përgjigjet dhe sqarimet e nevojshme.

Në këtë takim, komisioni ka miratuar raportin e Punës Për Vitin 2017, si dhe Planin e Punës për Vitin 2018.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu