Alarmante, Maqedonia në ditë deri në 14 raste të reja të kancerit

Maqedonia në ditë shënon nga 12 deri në 14 raste të reja të kancerit

Të dhënat flasin se nga vendet e rajonit në Maqedoni numri i pacientëve të rinj me sëmundjen e kancerit është më i madh në krahasim me Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa kjo e fundit edhe pse për çdo vit ka rritje të rasteve të kancerit, në rajon mbetet me numër më të vogël të rasteve të kancerit.

Nga Shoqata për emancipim, solidaritet dhe barazi të grave – ESE me rastin e Ditës Botërore në luftën kundër kancerit bëjnë të ditur se vdekshmëria nga kanceri i qafës së mitrës në Republikën e Maqedonisë shënon rritje në periudhën prej 2011 deri në vitin 2014.

Në korrik të vitit të kaluar në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup u prezantua regjistri botëror i kancerit “Globocan”, sipas të cilit në Maqedoni në 100 mijë banorë, 141 janë të sëmurë me kancer.

Në Klinikën për Onkologji dhe Radiologji në Shkup, në vitin 2015 janë regjistruar 5 mijë raste të reja, ndërsa në këtë shifër nuk përfshihet tumori kanceroz te fëmijët dhe të sëmurit nga leukemia.

Sipas programës për skrining të organizuar të kancerit të qafës së mitrës për vitin 2017 në Maqedoni parashihen që 15 mijë gra të jenë të ftuara në skrining të organizuar të kancerit në qafën e mitrës. Skriningu ka rol kyç në zvogëlimin e vdekshmërisë nga kjo sëmundje.

Sipas një vlerësimi të bërë nga sektori joqeveritar, në ditë kemi 12 deri në 14 raste të reja të kancerit, ndërsa sipas parashikimeve të regjistrit botëror “Globocan” në Maqedoni ka rreth 7.200 raste të reja me kancer.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu