Alaves i merr pikë Barçës me 10 lojtarë

Barcelona zhgenjën në ndeshjen e katërt radhazi në La Liga, këtë herë përballë Alaves, që edhe pse luajti me një lojtar më pak për më shumë se gjysmë ore loje, arriti t’i merrte një pikë ekipit “blaugrana”. Nuk arrin ta festojë me gol 18-vjetorin Ansu Fati, golashënuesi më i mirë i katalanëve në këtë fillim sezoni, por as Messi nuk la shenjë në këtë përballje, edhe pse iu dha mundësia disa herë me goditje të lira pranë vijës së 16 metrave.

Ndoshta Barcelona do ta kishte manaxhuar më mirë këtë sfidë në rast se Neto nuk do të bëntë atë gafë të pafalshme në minutën e 31-të, duke i dhënë mundësi Riojas të shënonte golin që do të zhbllokonte sfidën. Gjatë pjesës së parë Barcelona ishte joefikase në sulm, teksa mungonin goditjen në portë.

Gjatë pjesës së dytë, heroi i Alaves ishte portieri Pacheco, që bëri pritje të pafund, sidomos pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë të Jotas në minutën e 62-të. Vetëm pak sekonda pas këtij momenti, Griezmann shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes dhe përballë Pachecos e dërgoi me zgjuarsi topin në rrjetë. Për francezin ishte goli i parë sezonal.

Gjatë minutave në vazhdim Barcelona e mbylli në portë kundërshtarit, por çuditërisht, edhe rastet i pati, nuk mundi ta dërgonte topin në rrjetë. Përfundimisht 1-1, me vendësit që me të drejtë festuan sikur ta kishin fituar ndeshjes, pasi me “shpirt nëpër dhëmbë” morën një pikë, që më shumë se për renditjen vlen për moralin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu