Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është sulmuar me mjete piroteknike në Skënderaj gjatë një takimi elektoral për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në drejtim të Kurtit dhe deputetëve të partisë Vetëvendosje janë hedhur fishekzjarre e mjete të tjera piroteknike ndërsa mbrojtja personale e kryeministrit ka reaguar menjëherë duke i mbuluar me çadra dhe duke i larguar nga ajo zonë.
Ngjarja ndodhi në hyrje të sallës ku do të mbahej takimi ndërsa nga personat e pranishëm janë dëgjuar thirrje të adresuara kundër qëverisë së Kurtit.
Në vendin ku do të mbahej ky takim elektoral, dhjetëra njerëz të grumbulluar kanë lëshuar thirrje “Na jena PDK, Thaçi – Thaçi” dhe “Albin hajni”.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, i cili thotë se pavarësisht të gjithave, nuk do të ndalen deri në zgjedhjet e shkurtit.
“Disa qyqanë të orkestruar nga partia paskan tentu me e pengu tubimin e Vetëvendosjes në Skenderaj. Për çudi, komuna paralele e Serbisë atje nuk ju bënte fort përshtypje.
Harroni që na ndalni. Po thyejm bastione një nga një, cep më cep. Dje në Deçan, sot në Drenicë, e çdo ditë deri në 500 mijë zemrat e 9 shkurtit. Politika primitive nuk kalon”, shkroi Çeku në rrjete sociale.