Ali Ahmeti përkujton bashkëluftëtarët Fehmi dhe Xhevë Lladrovci

Sot është shënuar 18 vjetori i rënies heroike të dy heronjëve të kombit shqiptarë Fehmi e Xhevë Lladrovci, e me këtë rast janë bërë shumë homazhe në Kosovë. Heroizmi, kontributi dhe dashuria e tyre për lirinë e Kosovës, sakrifica e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit është diçka e pashembullt në historinë e popullit tonë. Madje heroizmi dhe kontributi i tyre i kaloi edhe kufijtë nacional, duke luftuar edhe për lirinë e shtetit kroat, dhe se ata meritojnë të jenë heronj edhe të Ballkanit Perëndimorë, njofton Zhurnal.

Me këtë rast, edhe bashkëudhëtari i tyre Ali Ahmeti i ka përkujtuar Fehmiun dhe Xhevën me një mesazh emocionues:

”Në 18 vjetorin e rënies heroike, të heronjëve të kombit, të Fehmi e e Xhevë Lladrovci, i kujtoj me krenari, nderim e respekt të pakufishëm! Ishin të pashembullt!Shokë, bashkëshortë, bashkëudhëtarë e bashkëluftëtarë që popujt e mëdhenjë i kanë te rrallë. Fehmi dhe Xhevë, përjetësisht, LAVDI”, kështu shkruan në mesazhin e tij lideri i BDI-së Ali Ahmeti kushtuar heronjëve të kombit Fehmiut dhe Xhevës.

KUSH ISHTE FEHMI LLADROVCI!?

Fehmi Lladrovci, i lindur dhe i rritur në Shkabaj (ish –Gllanasellë) e Drenicës, në një familje bujare me traditë atdhetare, së bashku me shoqen e jetës dhe përjetësisë, Xheva Lladrovcin, po ashtu edhe kjo e edukuar me ide kombëtare nga babai Abdyli, hynë në Historinë Re Kombëtare, duke materializuar me gjakun e tyre idenë e çlirimit kombëtar si dy bashkëshortë, dy bashkëluftëtarë, dy bashkëdëshmorë që me virtytet e tyre jetësore krahasohen me çiftin po ashtu bashkëluftëtarë -dëshmorë, Azem dhe Shotë Galica.

Rënia e Fehmiut dhe Xhevës kuptohet vetëm si një vazhdimësi e flijimeve heroike për çlirimin e tokave tona të filluara nga Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe mbarë familja Jashari.

Komandantët Fehmi dhe Xheva Lladrovci luftuan për liri si të gjithë dëshmorët, por nuk arritën ta shijojnë lirinë. Ata na e lanë neve amanet që ta duam atdheun, ta mbrojmë pa kursyer asgjë nga vetja jonë, as edhe jetën. Andaj, ngritja e bustit është shembulli më i mirë i nderimit të veprës dhe figurës madhore të gjeneral Fehmi Lladrovci, pasi që për çdo shqiptar është obligim moral dhe kombëtar që ndaj dëshmorëve dhe familjeve të tyre të ushqejmë një respekt dhe dashuri përkushtuese, sepse aty i ka rrënjët LIRIA.

22 SHTATORI, DITË E KOBSHME PËR SHQIPTARËT

Në mëngjesin e 22 shtator të vitit 1998, njësitë paramilitare dhe militare të armikut gjakatar, të shoqëruara nga një makineri e tmerrshme dhe tejet vrastare ua mësynë pozicioneve të luftëtarëve që i komandonin Fehmi dhe Xheva Lladrovci. Siç tregojnë bashkëluftëtarët, kapedani i bjeshkëve të Qyqavicës asnjëherë më parë nuk ishte dukur më krenar dhe më i buzëqeshur. Ai së bashku me Xhevën vizitonte luftëtarët në pozicionet, u jepte këshilla për ta përballuar dhe mposhtur rrethimin e bishës pushtuese. Armiku kishte provuar disa herë më parë forcën dhe guximin e luftëtarëve të Shkabës, dhe kësaj here do të sulmojë nga një hapësirë e gjerë, nga Drenasi, Skënderaji, Vojteshi dhe Vushtrria. Sulmi ishte tmerrësisht i egër, i stilit barbar, por mbrojtja ishte e zjarrtë në të gjitha pozicionet e çlirimtarëve, sepse në ballë të frontit si çdoherë qëndronte komandant Shkaba që në zemrën e luftëtarëve ishte lartësuar në madhësinë e Qyqavicës dhe se ata e dinin se pa rënien e komandantit nuk ka shteg depërtues të armikut në Qyqavicë.

Edhe në ditën e fundit, në kodrën e Qëndresës ku ishin të pozicionuar Fehmiu dhe Xheva, ata të dy ishin vazhdim dhe plotësim i njëri-tjetrit: kur pushonte Fehmiu së gjuajturi, snajperi zjarrmonte nga duart e Xhevës; kur heroizohet Shkaba, komandon Xheva; kur përjetësohet Kapedani, urdhëron Xheva. “Të gjithë luftëtarët të tërhiqen”,- urdhëri i Shkabës është i prerë. Gjaku i rridhte, por ajo nuk i jepej përjetësisë. Xhevës në atë çast i kujtohen rrëfimet e të atit kur rrëfente për trimëritë e Azem dhe Shotë Galicës, të cilët luftuan në të njëjtat male kundër të të njëjtit barbar. Gati ishte e njëjta skenë edhe atëherë: pas Azemit, komandon Shota; shënjestron armikun në lule të ballit dhe me një qëndrim prej komandanti urdhëron: “Xheva Lladrovci ende nuk është koha për të vdekur, zemra kërkon hakmarrje”, vazhdon luftën derisa takon Shkabën në përjetësi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu