Ambasadori i Italisë në Shqipëri nga Shkodra, Fabrizio Bucci, ka folur me nota pozitive sa i takon integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.
Ai ka deklaruar se Evropa duhet të shohë drejt vendeve të Ballkanit, pasi pa vendet e Ballkanit nuk ka një Evropë të bashkuar.
A mendoni se Shqipëria është gati për integrimin ?
Bucci: Unë mendoj se po, siç e dini Këshilli i Evropës ka dhënë dritën jeshile për çeljen e negociatave. Unë shpresoj se deri në fund të këtij viti të ketë një çelje të negociatave. Sepse kjo luftë që po vijon prej disa muajsh dhe ka sjellë mijëra viktima na ka dhënë një leksion shumë të mirë.
Bota ka ndryshuar nga lufta, sot ka dy botë, një para 24 shkurtit dhe një tjetër pas 24 shkurtit. Është e rëndësishme që Evropa ta kuptojë që kemi një realitet të ri, që ne nuk e donim, por po e jetojmë dhe Evropa duhet të hapë sa më shpejt negociatat me Shqipërinë në mënyrë që të japë një qartësi për këtë zonë, për Ballkanin.
Cilat janë hapat që duhet të merren ?
Bucci: Kur të nisin negociatat, duhet të përshpejtojnë disa reforma, kur hapen negociatat hapet rruga për dialog, për politikën, për Komisionin Evropian dhe Shqipërinë.
Janë reformat në drejtësi, reforma kundër krimit të organizuar dhe një sërë reformash që janë të hapura dhe Italia ka qenë dhe do të jetë në krah të Shqipërisë në çdo rast.