Mbështetja jonë për ndryshimet kushtetuese nuk do të jetë pa kushtëzime. Ne kërkojmë që me hapjen e kushtetutës të votohet edhe amendamenti jonë për mosvjetërsimin e lëndëve për korrupsion nga funksionarët e lartë. Kështu ka deklaruar nënkryetari i partisë Alternativa, Amir Elezi në emisionin “Top Tema”, duke thënë se ata këtë propozim e kanë dhënë që kur kanë qenë në pushtet.
“Është evidente se në mënyrë deklarative të gjithë mbështesin një amendament të tillë, por kur vjen momenti të vendoset në votim eskivojnë. Momenti kur amendamenti jonë do të vendoset në votim do të jetë momenti i së vërtetës”, tha Elezi.
Sipas tij, Alternativa është partia e parë e cila propozon një amendament për mosvjetërsimin e lëndëve për korrupsion të lartë dhe është e udhës që të gjithë partitë politike ta mbështesin propozimin e tyre.
“Kjo do të ishte një lajm i mirë edhe për bashkësinë ndërkombëtare se ne me të vërtet përpiqemi për ato vlera dhe ajo do të jetë udhërrëfyes për zhvillim të mëtutjeshëm të tërë shtetit”, ka shtuar Elezi.