Lojë e re politike për zgjedhje të reja parlamentare, apo vazhdim i lojës së deritanishme për minimizimin e të drejtave që duhet të fitojnë shqiptarët në Qeverinë e ardhshme. Kjo është dilema e analistëve politik lidhur me shkëmbimet e komunikatave ndërmjet OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së.
Analisti Xhelal Neziri për televizionin Shenja, thotë se kjo përplasje në shikim të parë duket si një tendencë e BDI-së për t’u shkëputur nga OBRM-PDUKM-ja, por ai kujton se lidhjet e deritanishme të dy partive e bëjnë të vështirë këtë. Dyshimi i dytë dhe më serioz, sipas Nezirit është skenari për shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare përmes të cilave partia e Gruevskit dhe Ahmetit kanë për synim të rikthejnë peshën politike dhe ta kenë më të lehtë për bërë koalicionin e ardhshëm qeveritar.
Edhe analisti Selim Ibrahimi është i bindur se mes dy partive nuk ka përplasje, por thotë se është një vazhdimësi e lojërave të deritanishme të tyre. Ibrahimi thotë se qëllimi i këtyre lojrave është devalvimi i platformës së përbashkët të partive shqiptare dhe reduktimi i pikave të asaj marrëveshje.
Këto komente vijnë pas taktizimeve të djeshme të dy partive, partner të deritanishëm në Qeveri. BDI e para doli me kushte të tjera, dukshëm më të vogla se ato që përmbante platforma e përbashkët e partive shqiptare. Por, as ky kompromis nuk i pëlqeu OBRM-PDUKM-së dhe nga kjo parti njoftuan se nuk do të fillojnë as bisedimet. Pas kësaj BDI u kundërpërgjigj me një kumtesë tjetër ku i arsyetohej OBRM-PDUKM-së për pikat e tyre./Telegrafi/
Analistët: VMRO dhe BDI bëjnë lojë me komunikatat by tvshenjaofficial