Analistet: Sjellja e Ivanovit ndaj ambasadorit Zhbogar është skandaloze

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, me deklaratat e tij ndaj përfaqësuesve të huaj, po e paraqet Maqedonisë keq para bashkësisë ndërkombëtare. Kështu vlerësojnë analistët, një ditë pas fjalimit kërcënues të Ivanov kundrejt ambasadorit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar. Për analistin Ismet Ramadani, partitë politike duhet ti tërheqin vërejtjen presidentit Ivanov.

“Është keq sepse po na prezanton keq si shtet, karshi Evropës, karshi faktorit ndërkombëtarë. Sepse takimi me një përfaqësues të BE-së siç është Samuel Zhbogar me një përvojë të mirë të cilën e mori edhe nga situata në Kosovë, nuk është rast për prononcime si ato të presidentit Ivanov. Por unë mendoj se vet Zhbogar nuk ka pritur të ketë takim me një president aq serioz, duke pasur parasysh disa veprime të tij të mëparshme si abolimi dhe të tjera. Ka qenë afër Zhbogar, i ka ndjekur nga Prishtina”, tha Ismet Ramadani, analist.

Andreja Stojkovski nga Qendra maqedonase për trajnime evropiane thotë se punët e deritanishme të BE-së dhe mbështetja e tyre në zgjidhjen e krizës politike dhe rrugëtimin drejtë reformave, dëshmon të kundërtën e asaj që thotë Ivanov.

“Mendoj se kjo nuk është aspak e nevojshme, respektivisht qasje e gabuar. Nëse duam të japim leksione, kemi Forum për leksione apo universitete. Në këtë rast, ambasadori Zhbogar nuk është ai të cilit duhet t’i jepen leksione, por në të kundërtën duhet bashkërisht t’i kushtojmë më shumë kohë leximit të raporteve dhe rekomandimeve të BE-së, pra të punojmë bashkërisht në drejtim të përmirësimit të shoqësirë sonë”, u shpreh Andreja Stojkovski, QMTE.

Presidenti maqedonas ditë më parë i dhuroi letrën kredenciale ambasadorit të ri të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar. Fjalimi i tij politik përveç që ishte jashtë protokolli, toni i tij ishte kërcënues. Ivanov porositi ambasadorin Zhbogar se nëse edhe pas këtyre zgjedhjeve Maqedonia nuk fillon bisedimet për anëtarësim në BE, kriza do të rikthehet. Ai gjithashtu u ankua për ndihmën e BE-së në ballafaqimin e krizës me refugjatë./Alsat-M


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu