Një grup mjekësh të rinj të mjekësisë së përgjithshme, të cilët kanë dhënë provimin profesional për licencë për të punuar në Odën e Mjekësisë, besojnë se janë viktima të diskriminimit në sistemin shtetëror, sepse vetëm disa mjekë janë thirrur për praktikë gjashtëmujore me pagesë, që është e parashikuar nga ligji për kujdesin shëndetësor.
Ata thonë se pjesa tjetër e mjekëve nuk u thirrën për arsye të panjohura, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Pas gjashtë vitesh studime të rregullta në Fakultetin e Mjekësisë dhe gjashtë muaj të tjerë përvoje për të dhënë provimin e shtetit, ne kemi mbetur në agoni dhe merak për të ardhmen tonë”.
“Çdo ditë dëgjojmë paradoksin e sistemit tonë, ku mungesa e mjekëve të rinj është evidente dhe në të njëjtën kohë jemi lënë në sallën e pritjes së institucioneve në pritje të punësimit apo praktikës me pagesë që na takon me ligj. Përgjigjja e vetme që kërkojnë institucionet është kërkimi i punës tek mjekët e familjes, por tashmë ka konkurse aktive në qytetin e Shkupit dhe në qytetet e tjera”, thonë në reagim mjekët e rinj.
Ata shtojnë se përpjekje janë bërë edhe nga Ministria e Shëndetësisë pas takimit me ministrin Ilir Demiri, dhe është dorëzuar kërkesë për zgjidhje në Ministrinë e Financave me procedurë urgjente dhe të menjëhershme.
“Është e rëndësishme që ne ta fitojmë këtë luftë, nëse vendimi i Ministrisë së Financave dhe KSHPK-së për miratimin e financave nga të cilat varet fillimi i praktikës me pagesë, si rezultat do të humbasim padrejtësisht të drejtën për të aplikuar për ciklin e parë të konkurseve për specializim. Nëse nuk do të gjendet zgjidhje për situatën tonë, ne do të jemi pjesë e padrejtësive të shumta që institucionet i bëjnë punonjësve shëndetësorë, edhe pse e duam vendin tonë dhe duam të qëndrojmë këtu, do të detyrohemi ta lëmë atë dhe të shkojmë diku ku vlerësohet mundi dhe dija jonë”, thuhet në deklaratën e një grupi mjekësh të rinj të cilët gjithashtu kërkojnë mbështetje nga kolegët, profesorët, të gjithë punonjësit e tjerë shëndetësorë dhe qytetarët për të marrë të drejtën e tyre.