Ballina Aktuale Arifi: Jugohromi filtrat, ose të mbyllet!

Arifi: Jugohromi filtrat, ose të mbyllet!

Unë si e para mes të barabartëve në qytetin tim, propozoj dhe qëndroj fuqishëm pas faktit që nëse nuk janë përmbushur kushtet dhe nuk janë vendosur filtrat mbrojtës në ndotësin “Jugohrom” me të cilat do të reduktohej emetimi i gazrave të dëmshëm, ky kapacitet industrial duhet patjetër të ndalojë me punë deri në fund të muajit mars 2017, nga vet fakti që gjatë këtyre muajve kritik treguesit e ndotjes së ajrit në Tetovë arrijnë shifra alarmante. Kështu është shprehur e para e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, në promovimin e projektit City Tree.

Sipas saj, Qeveria e Republikës së Maqedonisë duhet të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për problemin e lartpërmendur dhe urgjentisht të marrë përgjegjësi për dëmshpërblim dhe kompensim e të punësuarve në këtë kapacitet industrial, për periudhën përderisa ky kapacitet industrial të qëndrojë mbyllur.

Sot në hapësirat e komunës së Tetovës u bë prezantimi i projektit City Tree i implementuar nga ana e shoqatës Eko-Svest nga Shkupi, në partneritet me komunën e Tetovës dhe Ambasadën e Republikës Gjermane në vend.

Kjo formë inovative për të luftuar ndotjen e ajrit ambiental, përmes vendosjes së paneleve të kopshteve vertikale ka për qëllim pastrimin e ajrit si dhe ngritjen e vetëdijes qytetare për sa i përket këtij problemi./Portalb


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu