Arratia me trishtim, fjalët prekëse të gruas afgane: Unë e dua vendin tim, nuk doja të ikja

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania paralajmëruan shtetasit e tyre të shtunën që të shmangin aeroportin e Kabulit për shkak të kërcënimeve të sigurisë në zonë, pasi mijëra njerëz u dyndën rreth një javë pasi talebanët morën kontrollin e vendit.

Ndërkohë që disa nga afganët të cilët arritën të lënë vendin e tyre këtë javë folën për “Reuters” në lidhje me dëshpërim që po përjetojnë pasi lanë pas të dashurit e tyre, por pasiguria nga talebanët i detyroi të merrnin arratinë.

“Ishte shumë e vështirë për mua të largohesha nga vendi im” i tha “Reuters” një grua në Doha, Katar. “Unë e dua vendin tim” u shpreh ajo. Ajo shpjegoi gjithashtu se para ardhjes së talebanëve nuk mendonte të largohej ndonjëherë nga Afganistani.

Gruaja tha se ajo u largua nga vendi me burrin e saj, i cili është dentist dhe tre fëmijët e tyre, pasi kishte frikë se puna e tyre në organizatat humanitare ndërkombëtare do të sillte hakmarrjen e talebanëve.

Ajo përshkroi skena traumatike në aeroportin e Kabulit, ndërsa mijëra njerëz u mblodhën atje duke u përpjekur të hipnin në avion. Sipas saj, në një moment, kur turma u përpoq të hynte në aeroport, një burrë që qëndronte pranë saj u qëllua në këmbë.

“Ishte tronditëse dhe nuk dija çfarë të bëja” tha ajo. Kjo grua është një nga qindra njerëzit që arritën të evakuohen dhe tani janë vendosur përkohësisht në një kompleks banimi në Doha. Qeveria e Katarit po pret mijëra njerëz që kanë arritur të evakuohen derisa të mund të lëvizin në një vend të tretë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu