Vazhdon eksodi i shqiptarëve nga Enti Shtetëror i Statistikave, arrin në 20 numri i shqiptarëve të larguar deri më tani nga ky institucion, kështu u shpreh Bekim Berisha, i punësuar në Entin Shtetëror të Statistikave.
Ai tha se shqiptarët po e lënë punën në këtë institucion për shkak se edhe përkundër angazhimit dhe profesionalizmit të tyre, ngelen gjithmonë në nivelin më të ulët të administratës, vetëm sepse janë shqiptarë.
“Janë njëzet që janë larguar që nga fillimi i punësimeve domethënë që prej 2004-tës. Në grupin e 2004 tës që janë punësuar janë larguar 4 nga ESHS, në vitin 2006 janë larguar 2 dhe në vitin 2009 janë larguar 3. Ndërsa ata që ishin të punësuar në vitin 2011, gjatë regjistrimit të popullatës kur u bë një punësim më masovik, dikund rreth 30 shqiptarë u punësuan, tashmë prej 2011-tës deri më tani, 11 prej tyre kanë lënë punën dhe kjo jep totalin prej 20 shqiptarë të larguar nga Enti Shtetëror I Statistikave.”, deklaroi Bekim Berisha i punësuar në ESHS.
Ai bëri apel tek partitë opozitare parlamentare dhe jashtëparlamentare që t’i ndërmarrin masat e duhura, pasi siç tha ai, tani nuk ka asnjë shpresë tek partia në pushtet BDI.
“Ajo që mund të them është se diskriminimi po vazhdon, degradimet po vazhdojnë dhe pakësimi i numrit të shqiptarëve në ESHS po vazhdon gjithashtu. Regjistrimi i popullatës kurdo që do të mbahet, a duhet të mbahet patjetër, do ta pret ESHS-në të papërgatitur, sa i përket aspektit të kuadrit shqiptar në ESHS, dhe për këtë herë apeloj deri tek partitë opozitare dhe jo tek BDI, të ndërmarrin të gjitha hapat dhe veprimet që kanë mundësi ata të ndërmarrin dhe ta shpëtojnë ESHS-në, përndryshe nuk e di fundin.” , tha më tej ai.
Ai informoi se në statistikë për momentin kanë mbetur, rreth 45 të punësuar. Duke shtuar se nuk mund ta thotë përqindjen e saktë, për arsye se siç tha ai, është degraduar nga vendi I punës ku ka pasur qasje tek lista e të punësuarve, edhe atë për shkak të një prononcimi në media ku edhe ka paraqitur parregullësitë që ndodhin në këtë institucion.