“Assad trimi iku tek Putini”, Volodymyr Zelensky: Ata meritojnë të jenë në burg

Ndërsa sot festohet Dita e të Drejtave të Njeriut, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë një thirrje ndërkombëtare për tu bashkuar në luftë kundër uzurpuesit rus. Ai e nis postimin e tij duke ironizuar Bashar al-Assad, sunduesin sirian, pushteti i të cilit ra gjatë fundjavës pas sulmeve të befasishme të rebelëve opozitarë.

“Assad ‘trimi’ iku tek Putini”, shkruan ai referuar strehimit të familjes së Assad në shtetin rus. Në postimin e bërë në rrjetin social X, Zelensky kujton nëpërmjet pamjeve të marra nga kampet e torturave në Siri, atë çka pushtimi rus ka bërë me popullin e Ukrainës gjatë viteve të luftës.

Ndër të tjera ai shkruan se Assad dhe Putin janë bashkëpunëtorë në dhunën e kryer kundër popujve, të cilët meritojnë të burgosen.

“Assad ‘trimi’ iku te Putini. Ku do të ikë Putin? Dita e të Drejtave të Njeriut të këtij viti shënohet nga imazhet zemërthyese të burgjeve dhe dhomave të torturës siriane, të cilat u hapën pasi Assadi u largua. Njerëzit janë poshtëruar atje për shumë vite. Burra dhe gra.

Ata u rrahën, u torturuan, u përdhunuan. Mijëra e mijëra njerëz kanë kaluar nëpër këtë fabrikë dhune. Për dekada, regjimi i Asadit është mbështetur vetëm në dhunë. Dhe kështu duken të gjitha regjimet e mbështetura nga Putin. Ne kemi parë këto lloj burgjesh, dhoma torture, dhunë të papërshkrueshme, poshtërime, rrahje, tortura, përdhunime dhe krime të tjera në territorin tonë në çdo vend të pushtuar nga pushtuesit rusë.

Rusia është një shtet burgu dhe mund të mbajë tokën e vjedhur të dikujt tjetër vetëm duke vendosur burgjet dhe dhomat e saj të torturës. Që nga fillimi i pushtimit rus, tanket janë ndjekur nga represioni dhe tortura. E pamë për herë të parë në tokën tonë në Krime në vitin 2014, kur pushtimi rus rezultoi në shtypjen e popullit indigjen, komunitetit më të madh mysliman të Ukrainës, tatarëve të Krimesë, si dhe gazetarëve dhe figurave politike.

Më pas Rusia vazhdoi shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut në Donbasin e pushtuar, përfshirë burgun famëkeq të Izolyatsia. Që nga shkurti i vitit 2022, Rusia i ka zgjeruar këto praktika në pjesën tjetër të territoreve të pushtuara. Mizoritë janë shtuar në shtrirje dhe brutalitet.

Kjo është arsyeja pse ne, si ukrainas, ndihemi kaq të prekur kur shohim sirianë që dalin nga burgjet dhe dhomat e torturave të Asadit. Assad dhe Putin janë më shumë se thjesht vasal dhe zot. Ata janë bashkëpunëtorë në dhunë. Diktatorët si Assad nuk mund të mbijetojnë pa diktatorë si Putin. Dhe Putini do të përpiqet të marrë një hak për rënien e Asadit.

Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për unitet dhe forcë për t’u përballur me regjimet që mbjellin vetëm poshtërim dhe nuk lënë gjë tjetër veç vuajtjes, dhimbjes dhe rrënojave pas tyre. Duke ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër diktaturës së Putinit, komuniteti ndërkombëtar po ndihmon shumë rajone të tjera në rivendosjen e sigurisë dhe mbrojtjen nga dhuna. D

uhet të ketë drejtësi për mizoritë e tmerrshme dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Në fakt, Putini dhe Asadi janë ata që meritojnë të burgosen, jo njerëzit e pafajshëm që kanë burgosur prej vitesh,” shkruan Zelensky në postimin e tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu