Australi, 7 për qind e priftërinjve akuzohen për abuzim ndaj fëmijëve

Shtatë për qind e priftërinjve të Kishës Katolike në Australi akuzohen për abuzim seksual gjatë disa dekadave të kaluara, tregojnë rezultatet e hetimit mbi abuzimin ndaj fëmijëve në institucionet e mbarë vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këto të dhëna janë publikuar nga Komisioni shtetëror për përgjigjet institucionale të abuzimeve seksuale të fëmijëve.

Komisioni shtetëror, i cili është shkalla më e lartë e hetimit në Australi, nga viti 2013 zbaton një hetim lidhur me atë se si Kisha Katolike dhe institucionet e tjera janë përgjigjur ndaj abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve gjatë disa dekadave të fundit.

Komisioni paraprakisht dëgjoi dëshmi tronditëse të dhjetëra personave të cilët kanë qenë viktima të abuzimit të priftërinjve.

“Hetimi tregoi se në periudhën mes vitit 1980 dhe 2015 gjithsej 4.444 persona kanë raportuar abuzimet në më shumë se 1.000 institucione katolike në mbarë vendin”, tha Gail Furness, jurist që ndihmon komisionin.

Mosha mesatare e viktimave ka qenë 10.5 vjeç për vajza dhe 11.5 për djem. Francis Sullivan, drejtor i Këshillit për të vërtetën, drejtësinë dhe mjekimin theksoi se ky informacion përmban “mossukses të madh” të Kishës për të mbrojtur fëmijët. “Këto shifra janë shokuese dhe tragjike. Si katolikë, duhet të mbulojmë fytyrën nga turpi”, tha Sullivan.

Raporti final i komisionit do të shpallet deri në fund të vitit, pas dëgjimit të disa dëshmitarëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu