Autostrada prej 2 km Shkup-Bllacë është gati, por nuk lidhet askund

Pothuajse gjithçka është gati për segmentin e parë prej 2 kilometrave të autostradës Bllacë-Shkup, por, ajo nuk po hapet sepse nuk të çon askund. Autostrada nuk mund të lidhet me rrugën ekzistuese sepse pika ku përfundon është në një lartësi të madhe, raporton TV21.

“Kjo është pika ku përfundon kilometri i dytë i segmentit të parë të autostradës nga Bllaca që të shpie drejt Shkupit, tani e 6 vite gjendja është e tillë. Në terren duken vetëm dy buldozerë të cilët rrafshojnë dheun ndërsa një ekip fare pak i vogël punon matanë në pikë të ditës kur koha është e mirë, ndonëse afati i lëshimit është kaluar dy-tri herë që është dashur të pritet shiriti për këto 2 kilometra.”

Problemi tjetër është edhe shpronësimi e tokave që shteti ua morri fshatarëve të Bllacës. Ndonëse fillimi ndërtimit nisi nga viti 2019, disa banorë thonë se ende janë duke kërkuar të drejtën e tyre të shpagimit të tokave në Gjykatën Administrative. Ata nuk janë të kënaqur me vlerësimin e metrit katror prej 4 euro, sepse iu kishin premtuar 50€.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se ky segment është në fazën finale, por janë duke punuar intensivisht edhe në eliminimin e kontesteve pronësore. Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli tha se ky segment prej 2 km që nga fillimi e deri më sot ka kushtuar hiç më pak se 24 milionë euro.

Ndërkaq, segmenti dytë prej 10 kilometrave që do ta bënte funksionale autostradën Shkup-Bllacë akoma është në fazën e kompletimit të dokumenteve për hapje të tenderit. Sipas projektimit 10 km do të kushtojnë 240 milionë euro, ose 14 milionë euro për 1km. Ndonëse ndërtimi saj është premtuar prej vitit 2002, megjithatë ende nuk dihet se kur do të përfundojë./TV21


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu