Avioni i rrëzuar, familja kërkon trupin e Visar Begajt

Familjarët e Visar Begaj, i cili humbi jetën tragjikisht si pasojë e rrëzimit të avionit dy ditë më parë në afërsi të Shkupit, kërkojnë që trupi i tij pas procedurave ligjore të kthehet në Kosovë dhe jo në Itali.

Familjari i tij dhe njëkohësisht kreu i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kërkon që Ambasada e Italisë dhe Kosovës të veprojnë sipas kërkesave të familjarëve.

“Kërkesa e prindit të Visarit i cili dje ishte në Ambasadën italiane dhe atë kosovare në Shkup, ka qenë që familjari jonë ta ndalet këtu (në Kosovë). Unë besoj se marrëveshjet mes ambasadave do të përfundojnë në favorin tonë, sepse ai është familjar i joni. Ne presim prej Ambasadës italiane dhe kosovare në Shkup, që këto çështje t’i administrojnë si duhet. Edhe pse Visar Begaj ka pasur dy shtetësi, kërkesa e prindit është që ai të varroset në Kosovë”, tha Ragip Begaj, kryetar i Malishevës.

Nga Ambasada e Kosovës nuk ka qëndrim.

AM tentoi të kontaktojë edhe me ambasadën e Italisë në Shkup e cila kërkon që të gjithë trupat t’i dorëzohen Italisë, por meqenëse ishte festë shtetërore, nuk arritëm të komunikojmë me asnjë zyrtarë.

Ndërkohë nga Instituti i Mjekësisë ligjore në Shkup, njoftuan se autopsia e trupave po vazhdon dhe se detajet do t’i kumtojë Prokuroria Publike.

“Autopsia po vazhdon. Besojmë se deri në mbrëmje do të përfundojmë me analizat dhe identifikimin e personave, e më pas Prokuroria Publike do të kumtojë rezultatet”, njoftojnë nga Instituti për Mjekësi Ligjore, Shkup.

Bazuar në të dhënat e MPB-së, aksidenti ka ndodhur 4 minuta para aterrimit. Me grumbullimin e të gjitha provave, do të bëhen të ditura edhe shkaqet e rrëzimit.

Nga aksidenti ajror i dy ditëve më parë, humbën jetën gjashtë persona. Visar Begaj dhe 5 italianët po udhëtonin me avionin e tyre privat e që për destinacion kishte Prishtinën.

Pasagjerët nga Trevizo e Italisë, kishin tentuar të aterojnë në pistën e aeroportit të Shkupit për t’u furnizuar me kerozinë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu