Ballkanizimi i demokracisë perëndimore, trendi i ri në politikë

Shpeshherë kemi dëgjuar nga politikanë dhe analistë të kërkojnë nga Maqedonia të bëhet një Belgjikë e Ballkanit, me rregullim të ngjashëm kushtetues përsa i përket ndarjes së konstituencave dhe të drejtave dhe obligimeve të secilit popull që e përbën atë (flamanët, valonët dhe gjermanët). Ideja është briliante, por sic kemi parë deri tani e parealizueshme në realitetin tonë. Të shumta janë arsyet pse një ide e tillë duket utopike, por mbi të gjitha arsyet sundon një e vetme dhe parësore: mungesa e vullnetit për ta realizuar një ide të tillë në praksë.

Por meqë nuk dua të merrem me ide dhe dëshira të pamundura, nuk do të koncentroj shkrimin tim në këtë cështje se a duhet dhe a mundet Maqedonia të shndërrohet në një Belgjikë të Ballkanit. Thjesht do ta pranojmë premisën që është dicka e pamundur në rrethanat aktuale dhe historikisht të trashëguara të këtij vendi dhe mbarë Ballkanit. Arsyeja pse e përmenda Belgjikën dhe popujt konstituentë të saj është se një vendim i marrë nga valonasit gjatë javës së kaluar më bëri shumë përshtypje dhe që përforcon idenë e demokracisë së atij vendi. Konkretisht bëhet fjalë për veton që ia dha Valonia (pjesë e Belgjikës) marrëveshjes bilaterale CETA mes Kanadës dhe Bashkimit Evropjan, marrëveshje kjo e cila në gjykimin e valonasve cënonte ekonominë e tyre në shumë mënyra dhe si të tillë edhe e kundërshtuan, duke iu shkaktuar kokecarje byrokratëve të BE-së lidhur me ardhmërinë e kësaj marrëveshjeje. Për mua, i mësuar me diskriminim dhe me injorimin të cilin e përjetojmë si shqiptarë në këtë shtet, më duket e pakapshme dhe utopike që një popull konstituent i një shteti të mund të bllokojë një marrëveshje të një madhësie të tillë ekonomike ndërkombëtare vetëm sepse rrezikon mirëqenien e tyre. Në paragrafin e ardhshëm do t’i largohem frustrimit që më shkaktoi ky pasusi i fundit.

Kjo veto mund të shihet jo vetëm si votë kundërshtimi ndaj kësaj marrëveshjeje specifike, por në përgjithësi kundër elitave politike të cilat kanë kaluar nga një dështim në një tjetër, duke mos sjellë mirëqenien që populli evropjan beson që e meriton. Ky kundërshtim vjen në një kohë kur ekonomia evropjane akoma është në stagnacion megjithë premtimet, shkurtimet dhe reformat e 8 viteve të fundit pas krizës së 2008-ës; vjen në një kohë kur rëndësia specifike e BE-së në skenën ndërkombëtare është zbehur së tepërmi dhe kur marrëdhëniet me Rusinë e Putinit shihen si kërcënuese për sigurinë e BE-së dhe Evropës dhe kur marrëdhëniet me SHBA-të janë zbehur nga frika se në fronin amerikan mund të ulet një karakter si Donald Trump, një Putin i stilit kauboj amerikan që premton që do ta kthejë tërë botën përmbys duke shembur edhe themelet e demokracisë dhe liberalizmit amerikan i cili që pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë boshti kurrizor mbi të cilin janë zhvilluar edhe demokracitë moderne evropjane.

Ajo që bën përshtypje është që kjo veto vjen në kohën kur konceptet ekonomike globaliste janë duke u rishqyrtuar si nga aspekti filozofik ashtu edhe nga aspekti i përshtatshmërisë ekonomike. Pikëpyetjet që po i vihen koncepteve globaliste dhe që vijnë nga SHBA-të krijuese të këtyre koncepteve shtojnë panikun dhe mosbesimin në popullin e thjeshtë ndaj elitave udhëheqëse, sepse po rënojnë paqen sociale të rrejshme të krijuar nga ideja e një bote të bashkuar dhe bashkëvepruese në aspektin ekonomik dhe politik. Si gjithmonë frika ndaj ideve që afrojnë, shkakton ndodhjen e pikërisht të kundërtës e këto janë idetë që ndajnë, etnonacionalizmat dhe diskriminimet fetare dhe racore. Në kohë të këtilla zakonisht bota perëndimore i drejtohet SHBA-ve për rrugëdalje, megjithatë me konfuzitetin lidhur me identitetin amerikan që po mbisundon debatin politik të atjeshëm, nacionalizmat dhe racizmat druaj që vetëm do të shtohen në shtete të cilat gjatë këtij gjysëm shekulli janë zhvilluar si shtete multikulturore ku ndryshimet shihen si pozitive dhe kurrë si të rrezikshme.

Në një botë perëndimore është e rrezikshme të mendohet që po merr hov ballkanizimi i politikës. Aq më pak nëse bëhet si formë kundërshtuese ndaj politikave të gabuara ekonomike dhe sociale të po këtyre shteteve perëndimore. Rreziku qëndron në idenë që nëse trendet e sotshme ballkanizuese nesër mund të shndërrohen në forma legjitime të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit nga forca politike ekstremiste dhe të padëshirueshme që do ta kthenin civilizimin dhe demokracinë perëndimore pas në kohë të shkuara të përgjakshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu