Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki moon, ka sugjeruar se një sulm ajror në një shkollë në perëndim të Sirisë, me ç’rast u vranë 28 veta, përfshirë 22 fëmijë, mund të jetë një krim lufte, në kohën kur aktivistët sirianë dhe diplomatët perëndimorë kanë akuzuar Rusinë dhe forcat sirane për sulmin, shkruan REL.
Përmes një deklarate për shtyp, Ban e dënoi sulmin mbi shkollën duke thënë se ai ishte “i qëllimshëm”.
Ministria e jashtme ruse ka mohuar që forcat e saj apo edhe ato të qeverisë siriane të jenë përfshirë në sulm, që u krye më 26 tetor në provincën Idlib, në jugperëndim të Aleppos.
Avionë rusë dhe sirianë kanë goditur pjesë të Aleppos, duke provuar që të largojnë forcat rebele dhe luftëtarët ekstremistë, dhe të dyja shtetet kanë deklaruar fitore të mëdha strategjike në një luftë civile që po zgjat afro gjashtë vjet. Siria është aleate kyçe e Moskës, që e furnizon me shumicën e armatimeve dhe përkrahje tjetër teknike, derisa kryen sulme ajrore ndaj luftëtarëve të opozitës.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha të enjten se akuzat për përfshirje të forcave ruse në sulme ajrore mbi shkollën janë “gënjeshtra”.
“Federata Ruse nuk ka të bëjë asgjë me këtë tragjedi të tmerrshme, asgjë të përbashkët me sulmin”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Ajo tha se pohimet e aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe të diplomatëve perëndimorë se Rusia ose Siria kanë kryer më 26 tetor sulme ajrore janë “gënjeshtra”.
Më herët gjatë ditës së enjte Minstria e Mbrojtjes e Rusisë tha se as Rusia dhe as Siri nuk kanë kryer sulme ajrore në rajonin e Aleppos gjatë nëntë ditëve.
Zakharova tha se veprimet e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja në luftën kundër grupit ekstremist “Shteti Islamik” në Siri po e destabilizojnë situatën.
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë mohimet.
“Nuk e dimë ende nëse ishte regjimi i Asadit apo rusët ata që kryen sulmin ajror, por e dimë se ishin njëri nga ata të dy”, tha zëdhënësi Josh Ernest.
“Edhe nëse ishte regjimi i Asadit ai që kreu sulmin, regjimi i Asadit është në pozitë të kryejë gjëra të tilla të sulmeve sepse janë të mbështetur nga Qeveria ruse”, tha ai.
Zakharova kritikoi edhe veprimet e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja në luftën kundër grupit ekstremist “Shteti Islamik” në Siri duke thënë se ato “po e destabilizojnë situatën”.
“Forcat e koalicionit kanë dështuar që të ndërmarrin masa adekuate të sigurisë për të minimizuar dëmet ndaj civilëve”, tha ajo.
Sipas saj, Rusia ka dokumentuar “shembuj të furnizImit me sistem anti tank të prodhuar në SHBA dhe sistem portabël të mbrojtjes ajrore të militanëve” që po luftojnë kundër qeverisë siriane.
Presidenti rus, Vladimir Putin, në një fjalim të tij në qytetin Sochi, në një klub debate, tha se përpjekjet e tij për të arritur një marrëveshje me Presidentin e SHBA-së, Barack Obama, për t’i dhënë fund luftës civile në Siri janë penguar nga “forcat” në Washington.
“Një front i përbashkët për ta mundur terrorizmin në fakt nuk është krijuar”, tha Putin në një takim vjetor të ekspertëve rusë. Putin nuk elaboroi se kush në Washington, gjoja, po e pengon fundin e gjakderdhjes në Siri.
Administrata e Obamas e ka akuzuar Moskën për sforcimin e konfliktit me operacionet që po zhvillohen në mbështetje të presidentit sirian Bashar al-Assad dhe luftën e tij kundër militantëve “Shteti islamik” dhe më shumë grupe të moderuara kanë kërkuar largimin e tij.