Bardhyl Mahmuti, veprimtari i njohur dhe ministri i parë i jashtëm i Kosovës pas luftës ka reaguar me një deklaratë kundër kryetarit të Shoqatës së të burgosurve politikë në Maqedoni për refuzimin e dekoratës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Ja deklarata e plotë:
Lajmi se Shpëtim Pollozhani, Kryetari i Shoqatës së të burgosurve politikë në Maqedoni, ka refuzuar Medaljen që i ishte dedikuar nga Presidenti i Kosovës , Z. Hashim Thaçi më befasoi tej mase.
Është e drejtë e pakontestueshme e secilit veprimtar politik të merr qëndrime në përputhje me pikëpamjet e veta. Por, mungesa e koherencës në qëndrimin e Shpëtim Pollozhanit është e pakuptueshme ndërsa deklarata e tij se ,, për Mirënjohjen si veprimtar e ka informuar Ambasada e Kosovës në Shkup’’ është deklaratë e njëanshme.
Meqenëse jam i implikuar në këtë situatë e shoh të arsyeshme të sqaroj opinionin publik me sa vijon:
Emrat e një numri veprimtarësh politikë që vijnë nga viset shqiptare nën Maqedoni i kam propozuar unë. Në mesin e këtyre emrave ishte edhe emri i Shpëtim Pollozhanit, të cilin e kam njoftuar para se të miratohej lista. Është e vërtetë se Shpëtim Pollozhani më ka falënderuar për propozimin që kam bërë dhe gjatë tri komunikimeve që kemi pasur lidhur me këtë temë ai nuk ka shprehur as kundërshtimin më të vogël. Përkundrazi. Më ka falënderuar.
Edhe në komunikimin që patë një ditë para ndarjes së mirënjohjeve ai nuk shprehu as një mospajtim lidhur me këtë çështje dhe nuk më njoftoi se ka ndryshuar mendjen. Duke parë lojnat pas shpinës që luhen në Ballkan edhe nga njerëzit që nuk ma ka marrë mendja se mund të luajnë në këtë mënyrë e shoh që kam gabuar që jam implikuar në këtë çështje.
Shpëtim Pollozhani ka mundur t’i bëjë të gjitha vërejtjet kundër Hashim Thaçit pa pasur nevojë të më instrumentalizojë mua. Së paku nuk ja kam pasur për borxh një gjë të tillë. Mend për tjetër herë thotë populli”, shkruan në fund Bardhyl Mahmuti./ina