Gruaja e presidentit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad, Asma al-Assad, ka bërë kërkesë për divorc pasi shprehu pakënaqësinë me jetën e saj në Moskë, raportuan të dielën mediat turke dhe arabe. Me sa duket, ajo dëshiron të transferohet në Londër.
Asma iu drejtua gjykatës ruse dhe kërkoi leje speciale për t’u larguar nga Moska. Aplikimi i saj thuhet se aktualisht është duke u vlerësuar nga autoritetet ruse.
Asma është një shtetase e dyfishtë britaniko-siriane, e cila ka lindur dhe është rritur në Londër, dhe prindërit e saj janë nga Siria, raportoi më parë BBC. Asma u transferua në Siri në vitin 2000 dhe u martua me Assadin në të njëjtin vit në moshën 25-vjeçare.
Edhe pse kërkesa e tij për azil është pranuar, Bashar al-Assad thuhet se është ende nën kufizime të rënda. Ai nuk lejohet të largohet nga Moska ose të përfshihet në ndonjë aktivitet politik. Autoritetet ruse kanë ngrirë gjithashtu asetet dhe paratë e tij. Pasuritë e tij përfshijnë 270 kilogramë ar, dy miliardë dollarë dhe 18 apartamente në Moskë.
Vëllai i Bashar al-Assad, Maher al-Assad, nuk ka marrë azil në Rusi dhe kërkesa e tij ende po shqyrtohet, sipas raporteve saudite dhe turke. Maher dhe familja e tij thuhet se janë nën arrest shtëpiak në Rusi.
Assad u rrëzua në fillim të dhjetorit gjatë një ofensive nga forcat rebele të udhëhequra nga Hay’at Tahrir al-Sham (HTS). Megjithëse HTS është regjistruar si një organizatë terroriste në Shtetet e Bashkuara, SHBA vendosi të anulojë shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për kokën e udhëheqësit të HTS, Abu Mohammad al-Julani.
Është ky tani që po udhëheq Sirinë post-Assad, pa prodhuar asnjë lajm të keq mbi veten. /tesheshi.com