Janë zgjedhje lokale, natyrisht që rezultatet e raundit të parë diktojnë dhe bisedimet që duhet bërë për raundin e dytë. Me këto fjalë u përgjigj lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, kandidat për kryetar të Strugës, në pyetjen se a do të ketë bashkëpunim me partinë Lëvizja Besa në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, njofton Portalb.mk.
“Sovrani foli më 15 tetor dhe ne natyrisht që veprimet tona politike do ti kemi të bazuara në bazë të mesazhit që dha sovrani. Presim votat e qytetarëve në raundin e dytë, subjektet politike vetëm se do të japin kontributin në lidhje me këto pritshmëri që i kemi si subjekt politik” tha ai.
Sa i përket votave të LSDM-së që janë mbi 7 mijë, ai tha se nuk beson që do të jenë problem për fitoren e ti.
“Ata janë të LSDM-së e jo të Merkos. Çështja që duhet shtruar është se si ndodhi që ata të përmbysin rezultatin brenda një ore ose dy, sipas informatave tona, LSDM-ja ishte subjekt i dytë që fitonte në Strugë dhe jo Merko-ja. Në lidhje me këtë, duhet realisht ta shtrojmë pyetjen, a jemi vërtetë për reforma të mirëfillta si qeverisje dhe për proces normal zgjedhor, apo vetëm se janë ndërruar aktorët politik, njëri nga aktorët që ishte me VMRO-në në qeverisje veçse është brenda në Qeveri dhe vazhdon avazi i vjetër si dikur për të manipuluar zgjedhjet. Ne si subjekt politik nuk kemi të drejtën e anëtarëve në KSHZ. Jam duke menduar për një padi për “person të panjohur”, duke mos pasur informacion, për manipulim zgjedhor. Vetëm në këtë formë do të përmbushin edhe një synim që ia kemi vendosur vetes për të pasur shtet të së drejtës i cili nuk funksionin pa zgjedhje të drejta, korrekte.” u shpreh ai.
Këto komente i bëri pas takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama i cili është në Shkup si pjesëmarrës në Samitin 100.
“Biseduam për situatën politike në vend, për edhe për problemet e regjionit dhe Maqedonisë me rrugëtimin e saj në NATO dhe BE si dhe për sfidat që përballen shqiptarët. Ishte takim miqësor” tha Sela.