Krahas diskutimeve me tone të larta kur po flitej mbi Kosovën dhe Trepçen, në forumin ku ishin të pranishëm kryeministrat Rama dhe Vuçiç pati edhe batuta që shkaktuan ilaritet në sallë.
Një ndër këto situata ishte edhe ajo kur moderator pyet se çfarë do të ndodhë me dialogun Shqipëri-Serbi nëse Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel nuk do të zgjidhet. Rama përgjigjet se ai mund ta garantonte rizgjedhjen e saj, por Vuçiç tha që nuk e dinte këtë gjë. Rama iu përgjigj menjëherë duke thënë se atë do ta pyesnin kur të bëhej fjalë për zgjedhjet në Rusi.
Batutat
Moderatori: Çfarë ndodh nëse Angela Merkel nuk do të jetë më Kancelare, le të themi pas 10 muajsh? Sa shumë varet Ballkani Perëndimor nga një personalitet i vetëm dhe nga vizioni i saj për rajonin? Dhe sa e rrezikshme është kjo gjë?
Rama: Do i bie shumë shkurt, ne nuk po konkurrojmë për të fituar zemrën e Angela Merkel, ndaj mund të bie dakord me Vuçiç dhe mund të them vetëm se ajo do të jetë Kancelarja e ardhshme, ndërsa Tramp nuk do të jetë President i SHBA-ve. Ky është parashikimi im.
Vuçiç: Unë nuk e di këtë, por ai e di.
Rama: Po, unë e di. Kur të vijë tek zgjedhjet në Rusi, atëherë do të më duhet të të pyes ty.
Vuçiç: As unë nuk e di se çfarë do të ndodhë në Rusi, gjithashtu.