Nga kjo parti nuk zbulojnë detaje se deri ku kanë vajtur konsultat brendapartiake dhe kur pritet të mblidhet kryesia qendrore për të shpalosur vendimin e tyre nëse janë dakord me materialet që iu ka dërguar LSDM-ja për marrjen e nënshkrimeve apo jo.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se janë duke i analizuar gjërat dhe se do të dalin me përgjigje konkrete.
“Të gjitha gjërat janë duke u analizuar, mendoj që në të ardhmen do të ketë një rezultat apo një përgjigje konkrete. Janë çështje të cilat bisedohen në kuadër të partisë, por unë ju siguroj që aty bomba atomike nuk prodhohet, sigurisht që bisedohet për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me statusin politik dhe juridik të shqiptarëve në RM. Mendoj se çdo veprim i ngutshëm ka pasoja fatale dhe se afatet nuk janë të kushtëzuara, me rëndësi është shumë zgjidhja që do të ofrohet të bëjë zgjidhje të mirë për vendin”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
LSDM është në pritje për të siguruar firmat e nevojshme për të marrë mandatin.
“Presim sinjalet e BDI-së të jenë në formë të nënshkrimeve për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re. Në këtë fazë flasim për nënshkrime për mandat, e jo për përmbajtjen dhe formën e qeverisë. Atë që presim të marrim është mandati për formimin e qeverisë së re”,- theksoi Petre Shilegov nga LSDM.
Katër nënkryetarët e BDI-së mbrëmë deri vonë kanë qëndruar në selinë e partisë. Nënkryetarja, Teuta Arifi, për mediat e vendit ka deklaruar se BDI është duke punuar për të gjetur një zgjidhje që do të ishte sublimate për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe.