BDI harron platformën shqiptare, ja faktet (VIDEO)

Një javë pas nënshkrimit të platformës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare, BDI doli me qëndrim se nuk zmbrapset nga zbatimi i gjuhës shqipe, integrimi në NATO dhe BE dhe nga vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale.

Por, partia e Ali Ahmetit nuk përmendi shtatë pikat dhe 19 nën pikat e tjera për të cilat ishte zotuar anëtarësia e saj gjatë nënshkrimit të platformës.

Në platformë BDI dhe Ali Ahmeti u zotuan se do të ketë barazi etnike që është paraparë në Marrëveshjen e Ohrit dhe në Kushtetutë, ndërsa në komunikatë u tha vetëm se do të synohet përdorimi i barabartë i gjuhës shqipe.

Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën

Në platformë BDI është zotuar se do të zbatojë edhe parimin e multietnicitetit, do të angazhohet për ndryshimin e stemës, flamurit, himnit duke shtuar edhe elemente shqiptare, por kjo nuk doli nga mbledhja e kësaj partie e cila përsëri tha se nuk largohet vetëm nga përdorimi i barabartë i gjuhës shqipe.

Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e RM, ku shqiptarët njihen si popullësi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullësinë shqiptare.

Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetëtore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.

Partia e Ahmetit nuk ka gjetur vend në kumtesën e saj për miratimin e një rezolute me të cilën do të dënohej gjenocidi ndaj popullit shqiptar gjatë periudhës 1912 deri në vitin 1956.

Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956.

BDI dhe Ahmeti si duket kanë harruar elementin kryesor të cilin e përdorën edhe gjatë fushatës zgjedhore që është barazia ekonomike.

Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal

Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave.

Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marredhenie midis Komuniteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.

U harrua edhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në të gjitha institucionet për të cilën në vazhdimsi pasuan ankesa nga të punësuarit dhe nga Avokati i Popullit. Partia e Ahmetit në platformë u zotua për përfaqësim të drejtë në të gjitha institucionet shtetërore si në ushtri, organet e inteligjencës, në drejtësie të tjerë, por këtë nuk e ka parë të nevojshme si kusht për të bërë koalicion me ndonjë parti maqedonase.

Realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.

Realizimi i përfaqësimit të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore si dhe në agjensitë publike ose ndërmarrjet me aksione publike.

Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik

Bashkimi Demokratik për Integrim bëri bujë gjatë tërë kohës për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos, rekomandimeve të Pribesë dhe të Komisionit Evropian por, asnjëra prej këtyre nuk është kusht për të bërë koalicion me ndonjë parti maqedonase.

Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, Rekomandimet e Pribese, rekomandimet urgjente te Komisionit Evropian si dhe Rekomandimet nga Dialogu i Larte Paraqases me BE.

Ali Ahmeti dhe partia e tij me nënshkrimin e platformës ishin zotuar për zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale dhe zbardhjen e proseceve të montuara politike, por në përmbledhjen që e plasoi dje partia e tij thuhet vetëm se do të vazhdohet mandati për të zbardhur skandalin e përgjimeve, pa theksuar këtu se fusha e interesit të kësaj partie shqiptare është zbardhja e rasteve me viktima shqiptar.

Përkrahje e punës së paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike.

Zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.

Edhe pse në Plaftormën e partive shqiptare kishte zënë vend edhe financimi i kulturës shqiptare, në tre kushtet e BDI-së për koalicionim kjo nuk duket askund.

Marrja e masave afirmative për të siguruar financimin e institucioneve kulturore shqiptare në nivel vendor dhe qendror.

Partitë nënshkruese të platformës së përbashkët u zotuan edhe për zgjidhjen e çështjes së emrit, por kjo për partinë e Ahmetit nuk është dukur si kusht për të cilin nuk duhet negociuar me asnjë partner maqedonas.

Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare

Miratimi i një Rezolute të Perbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyre aktive në drejtim të zgjidhjes se cështjës së emrit.

Ahmeti dhe BDI në platformë u zotuan edhe për inkuadrimin e shqiptarëve në bisedimet për tejkalim të dallimeve mes Maqedonisë dhe Greqinë e Bullgarisë, por kjo nuk është vendosur si kusht për koalicionim të BDI-së me ndonjë prej partive maqedonase.

Marrëdhënie të mira me fqinjët

Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Bullgarinë.

Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë.

Një pikë tjetër me interes për shqiptarët është edhe hapja e pikave të reja kufitare por kjo nuk ka gjetur vend në kushtet e BDI-së.

Hapje e pikave të reja kufitare.

Edhe pse platforma e partive shqiptare nuk kishte afate të parapara për zbatim, si duket partia e Ahmetit gjithë këto zotime i ka lënë në plan të dytë dhe do të negociojë për koalicion me vetëm katër pikat të cilat i shpalli dje.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/


BDI harron platformën shqiptare, ja faktet by tvshenjaofficial


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu