BDI-ja është faqja më e turpshme politike e shqiptarëve të Maqedonisë

Nga: Kim Mehmeti

VMRO-DPMNE’ja erdhi në pushtet duke e përdorë frikën e maqedonasve se shtetin ua morën shqiptarët dhe se fqinjët ua zhbënë identitetin etnik.

Dhe kjo frikë edhe mund të të sjellë në pushtet, por me të nuk mund të ndërtosh shtet, e as të forcosh bosht kurrizorë etnik.

Andaj partitë shqiptare në qeverinë e sotme të VMRO-DPNNE’së kanë për detyrë t’i çlirojnë maqedonasit nga frika se shtetin do ua marrin shqiptarët.

Dhe këtë duhet ta bëjnë duke u treguar sa më të ‘moderuara’, sa më të dëgjueshme e më proshtetërore si dhe, duke qenë të atillë siç janë – të papërfillshme për palën maqedonase!

E sa i përket BDI’së ajo është faqja e turpshme politike e shqiptarëve të Maqedonisë, faqe në të cilën do shkruhet rrëfimi pervers si kjo parti i bindi shqiptarët e këtushëm se sa më shumë forcohet dhe pasurohet partia që të përfaqëson në pushtet, aq më shumë varfërohet e dobësohet populli, andaj më mirë të të përfaqësojnë disa parti të dobëta, se sa një e fortë?!

Kjo parti e simbolizon edhe kalendarin e tragjedive dhe dështimeve të shumta të shqiptarëve të këtushëm – si Sopoti, likuidimi i Harun Aliut me shokët, rasti ‘Monstra’, tragjedia e Kumanovës, Shkupi 2014, Enciklopedia e Maqedonisë që e ofendoi tërë popullin shqiptar… – për të cilat raste drejtuesit e kësaj partie as që u skuqën, e le më të ndjenin përgjegjësi.

Por edhe i tëri ky kalendar nuk mjafton që
Kryeministri i sotëm i Kosovës t’i mbështetë ‘mbeturinat’ e BDI’së, ata që u pasuruan gjatë dy dekadave të fundit si kryetarë komunash e drejtorë sipërmarrjesh publike, e të cilëve ardhja në pushtet nuk u duhet për t’i mbrojt shqiptarët, por për të njëjtat arsye si edhe drejtuesve të partisë që i lindi: për t’i mbrojtur vilat dhe banesat e shumta që kanë. (Kim Mehmeti)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu