BDI në pritje të ftesës së Nikolla Gruevskit

BDI është ende në pritje të ftesës së Gruevskit për të nisur bisedimet rreth formimit të qeverisë së re. Përfaqësuesit e partisë së Ali Ahmetit presin që negociatat të fillojnë deri në fund të javës. Nga ana tjetër, kreu i OBRM-PDUKM-së i cili prej 9 ditësh ka marr mandatin nga presidenti ende zyrtarisht nuk ka ftuar për bisedime asnjë parti. Sipas të gjitha gjasave, Gruevski do të presë momentin e fundit për të filluar bisedimet.

Nga selia blu për Alsat-M sqarojnë se Ahmeti është duke zhvilluar konsulta të gjëra jo vetëm brenda partisë, por edhe me faktorin ndërkombëtar për nevojën e formimit të qeverisë sa më parë.

Nga kjo parti përsërisin se nuk heqin dorë nga kërkesa për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe dhe zgjatjen e mandatit të prokurorisë special.

Për shkak të zvarritjes së fillimit të negociatave, analistët kanë filluar të flasin për një skenar të mundshëm nga dy ish partnerët për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Por, zyrtarisht dy partitë i demantojnë këto zëra. Ndërkohë, mbetet e paqartë se si do të rrjedhin gjërat nëse Gruevski nuk arrin që në afatin ligjor të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend për qeverinë e re. Po ashtu nuk bëhet e ditur nëse presidenti do të mandatojë kreun e LSDM-së Zoran Zaev nëse kreu i OBRM-PDUKM-së nuk merret vesh me BDI-në për kabinetin e ri.

Alsat mëson se deri tani për të ndihmuar në procesin për formimin e qeverisë së re kanë shfaqur interes disa vende perëndimore. Në këtë kuadër ministria e Jashtme e Gjermanisë kishte planifikuar gjatë kësaj jave të dërgojë në Shkup përfaqësuesin e saj special për Ballkanin Kristijan Helbah, por për arsye të panjohura deri tani vizita e tij është anuluar.

Nga ana tjetër, pas marrjes së mandatit nga Gruevski, partia e Zoran Zaevit deri tani është treguar shumë e heshtur dhe nuk ka folur rreth mundësisë së formimit të qeverisë bashkë me partitë shqiptare./Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu