BDI nuk është në një linjë me partnerin e deritanishëm qeveritar VMRO-DPMNE në çështjen e “desorosoizimit” të Maqedonisë. Derisa VMRO paralajmëron se epoka e tillë ka filluar, BDI thotë se me OJQ-të dhe fondacionin “Shoqëri e hapur” kanë bashkëpunim të mirë. Duke mos iu referuar drejtpërdrejtë VMRO-së, nga BDI thonë se organet shtetërore duhet të merren me dyshimet e mundshme në aspektin e financimit të OJQ-ve dhe jo me veprimtarinë e tyre.
OJQ-të duhet të kenë mundësitë të punojnë lirshëm. Fondacioni shoqëri e hapur (Soros) gjithashtu. Organet e shtetit duhet dhe do të reagojnë vetëm në atë rast kur ka dyshime në burimet e financimit apo nëse veprimtaria e tyre është e kundërligjshme. BDI do të vazhdojë të ketë bashkëpunim korrekt me OJQ-të në vend”, thonë nga BDI.
Edhe pse të pyetur se cili do të jetë qëndrimi i tyre nëse VMRO në tryezën e bisedimeve kërkon që të merren masa konkrete të përbashkëta në “desorosoizimin” e Maqedonisë, nga BDI thonë të kundërtën që propagandon VMRO-DPMNE-ja.
Nuk kemi informacione se cila OJQ dhe cili medium me kë është dhe nga financohet”, njoftojnë nga BDI.
Ditë më parë, VMRO-DPMNE me një fjalor të ashpër iu shpalli luftë të hapur disa mediave dhe Organizatave Joqeveritare që sipas tyre, financohen nga Sorosi dhe për të cilat thuhet se kanë për qëllim destabilizimin e vendit. Për këtë nga VMRO-DPMNE akuzojnë edhe LSDM-në.
Fjalori i tillë i VMRO-së është vërejtur edhe gjatë fushatës elektorale. Ndërkohë çdo aktivitet të deritanishëm kundër qeverisë, VMRO dhe kreu i saj Nikolla Gruevski e kanë quajtur skenar të Sorosit dhe shërbimeve të huaj. Muaj më parë, në shënjestër të inspektorëve të DAP-it dhe agjendës për “desorosoizimin” e Maqedonisë ishin dhjetëra OJQ dhe institute./Alsat-m