BDI për arrestimet e sotme: Po na hakmerren, do të marrim masa për të parandaluar vazhdimin e këtij sulmi

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar për arrestimet ku dyshohet se shumica prej tyre janë nga radhët e BDI-së. Sipas kësaj partie, sot, “populli shqiptar në vend është nën sulm nga institucionet e shtetit të tij, të cilat janë plotësisht të kapura nga interesat politike dhe etnocentriste të Qeverisë”.

“Për t’u mbrojtur, Kryeministri, Ministri i Brendshëm dhe Prokurori i Shtetit e kanë drejtuar njëanshëm hetimin kundër shqiptarëve që kanë qenë pjesë e institucioneve të sistemit në çfarëdo forme dhe në çdo kohë. Deklarojmë qartë se sot kundër shqiptarëve është shpallur një agresion i njëanshëm dhe i padrejtë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për BDI-në, partitë shqiptare në pushtet, apo shqiptarët në përgjithësi. Kjo nuk është drejtësi, kjo është hakmarrje për përfshirjen e shqiptarëve në proceset institucionale! BDI do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vazhdimin e këtij sulmi dhe për të siguruar drejtësi për popullin shqiptar në vend”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Mediat sot raportuan se me urdhër të Prokurorisë, policia sot po arreston ish-zyrtarë të lartë dhe po mbledh prova teksa zgjeron hetimet për zjarrin katastrofik në diskotekën Pulse në Koçan më 16 mars.

Pas 30 të mëparshmeve, hetimi tani po zgjerohet në mbi 23 të dyshuar të rinj, përfshirë ish-ministrin e Ekonomisë Bekim Neziri, i cili hyri në MNAV dy vjet më parë dhe rrahu një kontrollor të trafikut ajror, pastaj drejtorin prej shumë kohësh të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe ministrin aktual pa portofol Shaban Saliu, Valon Saraçini – ish-ministër i Ekonomisë dhe të tjerë.

Driton Kuçi, ish-ministër i Ekonomisë, i cili aktualisht është ambasador i Maqedonisë në Norvegji, dyshohet se është gjithashtu i dyshuar. Është arrestuar edhe drejtori aktual i DMSH Xhevat Selami, por sikurse me emrat e mëparshëm, nga Prokuroria thonë se gjatë ditës do të ketë informacione zyrtare.

“Me urdhër të prokurorit publik po punohet për ndalimin e disa personave, me qëllim zgjerimin e hetimeve për zjarrin në Koçan. Institucionet kompetente do ta informojnë publikun në mënyrë të koordinuar pasi të përfundojnë veprimet në vazhdim”, thanë nga Prokuroria.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu