BDI: SHBA, BE, Londra e Parisi mbështesin Maqedoninë Evropiane

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka mirëpritur reagimet e menjëhershme pozitive të gjithë botës demokratike për vendimin historik pro Propozimit francez të miratuar nga ana e Kuvendit, e cila vulosi orientimin ideologjik të vendit pa alternativë tjetër, atë të integrimit në Bashkimin Europian.

“Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Parisi, Roma, Londra dhe të gjitha kryqytetet e vendeve euroatlantike vlerësuan lartë guximin e forcave progresive që po udhëheqin me vendin. Të paktët që kundërshtojnë, VMRO dhe Levica, mbetën të vetmuar dhe të bashkuar në frymën e forcave regresive proruse”, shtojnë nga BDI.

Ata thanë se shumica dërmuese e qytetarëve të vendit nuk u identifikuan me agjendën ruse, nuk ranë pre e mashtrimeve, provokimeve dhe nuk përkrahën protestat që kishin për qëllim të kthejnë vendin prapa pas gjithë atyre sakrificave dhe arritjeve të përbashkëta dhe t’ia ndërojnë vendit orientimin strategjik.

“Sot është koha e përcaktimit, kush është me Europën dhe kush është kundër, kush është me NATOnë e kush kundër, kush rreshtohet me forcat euroamerikane e kush me me ato proruse. Nuk ka zonë gri, nuk ka të papërcaktuar. BDI konstaton që shumica dërmuese e qytetarëve mbështesin forcat progresive pro euroamerikane dhe ne nuk do të lejojmë devijimin të kursit euroatlantik të vendit”, përfundojnë nga BDI.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu