Bashkimi Demokratik për Integrim ka dënuar sjelljet e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar dorëheqjen e tij, përcjellë Klan M.
“BDI dënon me forcë zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese, ku ndërhyrjet monoetnike në një shtet shumëetnik krijojnë një precedent të rrezikshëm.
Vendimi për të vazhduar procesin e vlerësimit të kushtetutshmërisë, pavarësisht bojkotit nga gjykatësit e komuniteteve shqiptare dhe turke, është një tregues shqetësues i mungesës së respektit ndaj barazisë dhe harmonisë ndëretnike.
Megjithatë, reagimi i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në konferencën për shtyp shënon kulmin e papranueshmërisë. I pyetur nga një gazetar për mungesën e gjuhës shqipe në tabelën prapa tij, pavarësisht faktit se ligji mbi përdorimin e gjuhëve është në fuqi, Kryetari deklaroi se “e di që ligji është në fuqi, por mua nuk më pëlqen”. Një deklaratë e tillë është skandaloze dhe krejtësisht e papranueshme!
Një person që hapur shpreh mospëlqim ndaj ligjeve në fuqi dhe që zbaton standarde të dyfishta në një pozitë kaq të rëndësishme si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të jetë i denjë për të vazhduar detyrën. Sjellja e tij minon jo vetëm besimin e qytetarëve në institucione, por edhe parimet themelore të demokracisë dhe barazisë ndëretnike.
Për këto arsye, BDI bën thirrje për dorëheqjen e menjëhershme të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Zhvillime të tilla nuk duhet të tolerohen në asnjë rrethanë, dhe institucionet duhet të veprojnë për të garantuar respektimin e ligjit dhe vlerave të barazisë ndëretnike” – thuhet në kumtesën e BDI-së. /tvklan.mk