BE: Mezi presim formimin e Qeverisë në Kosovë

Bashkimi Evropian ka thënë se mezi pret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të cilat i cilësoi si paqësore dhe konkurruese.

Në një komunikatë të përbashkët shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionarja për Zgjerim në BE, Marta Kos, thanë se do ta “vazhdojmë angazhimin me autoritetet, me qëllim mbështetjen e Kosovës për t’u afruar më shumë me BE-në dhe për të përfituar plotësisht nga mundësi të rëndësishme si, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”. Pas numërimit të 99 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke siguruar 47 nga 120 vendet parlamentare – megjithëse, jo mjaftueshëm për të formuar qeverinë e vetme.

Sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 25 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputet. Këto shifra mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu