Beqaj: Kurti sillet sikur fati i Evropës varet nga Kosova

Analisti politik, Behlul Beqaj beson se me një rol më aktiv të Shteteve të Bashkuara, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të bëhet më konstruktiv.

Beqaj thotë se marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel nuk guxojnë të anashkalohen, pavarësisht se është dëshmuar se Bashkimi Evropian nuk ka shumë fuqi për ta çuar përpara këtë proces.

“Realisht, Evropa nuk është një partner shumë i besueshëm dhe serioz që duhet t’i kritikojë të tjerët, sepse pak a shumë i ka trajtuar me përbuzje të tjerët. Mendoj se kjo kritikë është e bazuar, sepse Albin Kurti sillet sikur fati i Evropës varet nga Kosova, e jo anasjelltas”, ka thënë Beqaj për “Kosovo Online”.

Në fillim të kësaj jave, në Bruksel është mbajtur një konferencë për media, në të cilën Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Borrell tha se nuk pajtohet me deklaratat e Kurtit dhe se do të vazhdojë të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Megjithatë, Beqaj pret që bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht vendet që mbështesin hapur dialogun Kosovë-Serbi, të intensifikojnë përpjekjet diplomatike për vazhdimin e procesit.

“Dialogu për hir të dialogut nuk ka qëllim, mendoj se një kurs radikal duhet të rishqyrtojë mënyrat e deritanishme të negociatave, e veçanërisht qëndrimin e kryeministrit aktual në Kosovë. Mendoj se jemi në prag të rishqyrtimit, ku situata ka gjasa të përmirësohet, sepse ne kemi një artileri të rëndë diplomatike dhe ushtarake nga faktorët kryesorë – Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Evropa”, ka thënë Beqaj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu