Lideri historik i PD-së Sali Berisha sulmoi hapur dhe ashpër ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim duke deklaruar se sillet në Shqipëri si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori Sovjetik. Ish-kryeministri e cilësoi mjerane dhe brutale ndërhyrjen e Yuri Kim në Shqipëri.
“Kundër nesh peng-kryetari me të gjithë mbështetjen e qeverisë, por mjerisht ne u përballëm me një ndërhyrje të pashembullt, brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA-ja. Me këtë rast unë dua të theksoj dhe t’u them këtyre zyrtarëve se ne jemi një komb i vjetër, në historinë tonë pakkush më shumë se ne ka pasur të bëjë me superfuqitë e kohërave nga lashtësia deri sot. Bashkimi Sovjetik ashtu sikur e cilësoi Presidenti amerikan Regan, ishte perandoria e së keqes, e degradimit të njeriut, e mjerimit, e dhunës, terrorit.
E kundërta e tij janë SHBA-të. Perandoria e lirisë, e vlerave. Vendi i madhi lirisë ka bërë për lirinë e shqiptarëve më shumë se cdo vend tjetër në botë. Por vendi i madh ka bërë për lirinë e botës gjithashtu më shumë se kushdo. Është e dhimbshme të shohësh ambasadoren e SHBA-së të sillet si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori Sovjetik në Tiranë. Perandoritë ndryshojnë si nata me ditën, por burokratët dhe njerëzit e harrojnë këtë” tha ai.
Më tej Sali Berisha nga stadiumi “Air Albania” u foli demokratëve për një rithemelim të PD-së, pasi sipas tij, Lulzim Basha në tetë vitet e fundit e çoi majtas duke e larguar nga vlerat konservatore.
“Lulzim Basha u kujdes para së gjithash për karrigen e tij, për marrëveshjen me kreun e Meduzës, vendosi të sistemonte PD-në, ta shndërronte atë në një fasadë opozitë në një stojcë të narkoshtetit shqiptar. Ai përjashtoi drejtues të PD-së nga funksionet drejtuese pa asnjë konsultë, pa asnjë analizë. Sulmoi në mënyrë të verbër partnerët tanë të denjë, FRPD-në dhe Lidhjen Demokratike të Gruas. Në 8 vite, Lulzim Basha partinë e vlera konservatore e spostoi majtas.
Me qëndrimet e tij dëshmoi se jo vota, jo vlerat e demokracisë, por parimet e partive të majta, ishin pasioni dhe vullneti i tij. Në këto kushte të shumtë ishin ata që besonin se PD duhet të shkrihej dhe se mbaroi misionin e saj dhe se ajo është një forcë që nuk fiton dot. Për të gjitha këto arsye themelore, demokrate dhe demokratë në mbarë vendin u bashkuan me nismën e “Foltores” dhe ata vendosën që të rithemelojnë PD-në, që ne sot e bëjmë realitet. ‘Foltorja’ ishte uragani që kaloi nga qyteti në qytet. Ju kërkuat që PD të rithemelohet” tha ai.